Ambasadori Lu në Elbasan, takohet me përfaqësues të biznesit

Shqipëria

Ambasadori Lu në Elbasan, takohet me përfaqësues të biznesit

Më: 29 janar 2015 Në ora: 16:38

Elbasani ishte qyteti i parë i vizitës së ambasadorit amerikan Donald Lu, në daljen e tij të parë nga Tirana. Në një takim me kryetarin e baskisë, Lu diskutoi për qytetin e Elbasanit dhe zhvillimin e tij në të ardhmen. Ambasadori tha se zgjodhi Elbasanin në vizitën e tij të parë, nisur nga historiku i këtij qyteti:

"Jam shumë i kënaqur që udhëtimin tim të parë jashtë kryeqytetit e bëj në Elbasan. Historia e pasur e Elbasanit dhe bukuria e tij janë të mirënjohura."

Në njoftimin e Ambasadës amerikane në Facebook, theksohet se gjatë vizitës, ambasadori Lu mori pjesë në tryezën rrumbullake të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri , ku u takua më përfaqësues të biznesit.

“Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe Ambasada kanë një histori të gjatë bashkëpunimi dhe mbështetjeje të përbashkët, gjë e cila ka ndihmuar në zhvillimin e klimës së biznesit në Shqipëri. Ambasada do të vazhdojë përpjekjet e saj për të promovuar një klimë biznesi të drejtë dhe transparente, dhe në këtë synim, Dhoma Amerikane e Tregtisë do të jetë një aleate e fortë dhe zëri i komunitetit të biznesit”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, theksoi: "E falënderoj ambasadorin që zgjodhi Elbasanin. Biseduam për problemet e qytetit, planet e mëtejshme, zgjedhjet dhe shumë probleme të tjera të përditshme. E kam thënë që Elbasani do të ndryshojë në këto 4 vite."

Më pas, ambasadori amerikan dhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit zhvilluan një vizitë në qytet, për t’u njohur nga afër me historikun e tij. Ata u ndalën fillimisht në Monumentin e Arsimit, e më pas vijuan vizitën pranë rrënojave të bazilikatës në zonën e Bezistanit në qytetin e Elbasanit. Ambasadori Donald Lu u njoh me historinë e patriotit Aqif Pasha si dhe vizitoi ambientet e brendshme të kalasë otomane dhe lagjen brenda saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat