Pensionet, zbardhet skema e kontributeve dhe detyrimi financiar

Shqipëria

Pensionet, zbardhet skema e kontributeve dhe detyrimi financiar

Më: 29 janar 2015 Në ora: 07:51

Këshilli i Ministrave vendosi dje për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor. Vendimi përkatës pritet të hyjë në fuqi menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare, dhe ka një shtrirje ligjore që nga data 1 janar e vitit që sapo kemi filluar. Ndryshimet e bëra përcaktojnë përfituesit e skemave të sigurimeve dhe të përjashtuarit.

Përfituesit

Përfitues, cilësohen personat e punësuar në dy ose më shumë subjekte juridike ose fizike, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, për degën e sigurimit të sëmundjeve, barrëlindjes, pensioneve, aksidenteve në punë e sëmundjeve profesionale, papunësisë dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Sipas vendimit përfitues cilësohet personi fizik që, njëkohësisht, zhvillon aktivitet ekonomik si anëtar i papaguar i familjes, si edhe anëtari i papaguar i familjes, që zhvillon aktivitet ekonomik në dy persona fizikë, me të cilët bashkëjeton, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për degën e sigurimit të barrëlindjeve dhe pensioneve dhe për sigurimet e kujdesit shëndetësor. Janë gjithashtu përfitues, personat e punësuar për më shumë se 87 orë në muaj, në rast sëmundjeje ose kujdesjes për fëmijën në ngarkim, të vërtetuara me raport mjekësor për deri në 14 ditët e para, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme. Përllogaritja e kontributeve të sigurimeve shoqërore, të sigurimit të kujdesit shëndetësor, si dhe tatimi mbi të ardhurat nga punësimi, zbatohet njëlloj, ashtu si për të ardhurat nga puna, pavarësisht se mënyra e llogaritjes së tyre i referohet dispozitave të veçanta të Kodit të Punës. Të vetëpunësuarit në bujqësi, të aftë për punë, që kanë mbushur moshën 16 vjeç, deri në moshën për pension, sipas nenit 92, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, janë përfitues atëherë kur nuk janë të siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë, banojnë në të njëjtin rreth ku kanë tokën në pronësi ose në përdorim dhe zhvillojnë veprimtari bujqësore e blegtorale, që paguajnë kontribute në mënyrë të detyrueshme për barrëlindje, për pensione dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Po kështu kjo kategori janë përfitues edhe atëherë kur nuk janë të siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë, banojnë në fshat dhe zhvillojnë veprimtari bujqësore e blegtorale, edhe nëse kanë tokë në pronësi ose në përdorim, me vendndodhje në rrethin fqinj, që paguajnë kontribute në mënyrë të detyrueshme për barrëlindje, për pensione dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Të punësuarit me mandat kushtetues, pensione suplementare Personat me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar dhe personat e tjerë që trajtohen nga skemat e sigurimeve shoqërore suplementare, ushtarakët e Forcave të Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri, personat me tituj shkencorë, profesorë, asistentë profesorë, drejtues kërkimesh dhe mjeshtër kërkimesh, të cilët derdhin kontribut suplementar të detyrueshëm, përfitojnë edhe pension suplementar.

Punonjësit e minierës dhe të papunët

Personat e punësuar në miniera, në nëntokë, të cilët paguajnë kontribute të detyrueshme shtesë për degën e pensioneve, janë përfitues të pensionit suplementar. Po kështu edhe personat me banim të përhershëm në Shqipëri, me të ardhura të rregullta nga pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, të cilët paguajnë kontribute të detyrueshme vetëm për sigurimin e kujdesit shëndetësor, janë gjithashtu përfitues të pensionit. Në këtë rast, kontributi i detyrueshëm zbatohet vetëm kur personi me të ardhura të rregullta nga pronësia nuk ka sigurim tjetër të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor. Të papunët, që përfitojnë pagesë papunësie për periudhën që trajtohen me këtë pagesë, për të cilët buxheti i shtetit derdh kontribute për degën e pensioneve dhe për barrëlindje.

Kush janë të “mbrojturit” e ligjit

Konsiderohen të mbrojtur dhe përfitojnë të ardhura e shërbime nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i shëndetit të punësuarit me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar, të punësuarit me kontratë pune pa afat ose me afat më shumë se një muaj, që punojnë me kohë të plotë ose të pjesshme, për 87 orë në muaj e më shumë, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, por jo më pak se niveli minimal. Kjo shërben për degën e sigurimit të sëmundjeve, të barrëlindjes, të pensioneve, të aksidenteve në punë e sëmundjeve profesionale, të papunësisë dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Të punësuarit me kontratë pune me ose pa afat, që punojnë me kohë të pjesshme, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, por jo më pak se niveli minimal, për degën e barrëlindjes, pensioneve, aksidenteve në punë e sëmundjeve profesionale dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Po kështu ja përfitues të punësuarit me kontratë pune, me kohë të plotë ose të pjesshme ditore, që zgjat më pak se 7 ditë kalendarike radhazi në vit, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për degën e aksidenteve në punë e sëmundjeve profesionale dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Janë përfitues pronarët e personave juridikë, që ushtrojnë funksione drejtuese në shoqëri, si administratorë apo çdo funksion tjetër, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme. Të vetëpunësuarit me statusin e personit fizik, që ushtrojnë veprimtari ekonomike, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, jo më pak se niveli minimal, për degën e barrëlindjes, pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Në listë janë edhe pjesëtarët e familjes, që punojnë e bashkëjetojnë ligjërisht me të vetëpunësuarin, person fizik, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, jo më pak se niveli minimal, për degën e barrëlindjes, pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Ndërsa personat fizikë, të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulantë, që kanë mbushur moshën 16 vjeç, që nuk janë të siguruar si punëmarrës ose si të vetëpunësuar në veprimtari ekonomike të vijueshme, që paguajnë kontribute të detyrueshme për degën e pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor, janë gjithashtu përfitues.

Paga për efekt të llogaritjes së kontributeve

Paga bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e të kujdesit shëndetësor, është paga e caktuar sipas legjislacionit në fuqi, ose në kontratën e punës, sipas rastit, me kohë ose vëllim pune dhe shtesat e tjera, me karakter të përhershëm, që lindin nga marrëdhëniet e punës. Paga bruto evidentohet në listëpagesën tip, e cila është deklaratë për pagesë dhe dokumenti bazë për evidentimin e kontributeve individuale. Në pagën bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor, nuk përfshihen: përfitimet që punëmarrësi merr nga fondet e sigurimeve shoqërore; kompensimet nga rritja e çmimeve; dhuratat në të holla, që nuk kanë karakter të përhershëm dhe të përgjithshëm; të ardhurat nga detyrimi ushqimor, të caktuara me vendim gjykate. Po kështu nuk përfitojnë nëse vlera e antidoteve, që punëdhënësi jep në natyrë, për personat e punësuar, sipas legjislacionit në fuqi; shpërblimet me karakter jo të përhershëm, të lejuara në mbështetje të legjislacionit në fuqi, shpërblimet nga fondi i veçantë, për rastet e fatkeqësive në familje, për sëmundjet e gjata, për dëme, në raste fatkeqësish të mëdha natyrore, dhe për veprimtari të shquara. Vlera e shpenzimeve për të punësuarit, që kryejnë veprimtari jashtë qendrës së banimit, të cilat jepen bazuar në legjislacionin në fuqi dhe që nuk janë pjesë e pagës si edhe honoraret apo shpërblimet e tjera të kësaj natyre, që nuk kanë lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës, nuk janë përfitues. Paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, të jetë jo më pak se sa paga minimale mujore, e barabartë me 22 mijë lekë dhe deri në 97 030 lekë, për personat e punësuar. Gjithashtu, jo më pak se sa paga minimale, e barabartë me 22 mijë lekë dhe sipas përcaktimit të vetë personit, deri 97 030 lekë, për personat e vetëpunësuar. Punonjësit e papaguar të familjes do të kenë një pagesë të barabartë me pagën minimale mujore prej 22 mijë lekësh. Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, do të jetë jo më pak se sa paga minimale, e barabartë me 22 mijë lekë dhe deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës së listëpagesës, për personat e punësuar. Për personat e vetëpunësuar dhe punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton ligjërisht, paga do të jetë sa dyfishi i pagës minimale, e barabartë me 44 mijë lekë. Paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, për personat e vetëpunësuar në bujqësi, është 4 620 lekë.

Derdhja e kontributeve për secilën kategori

Llojet, shpërndarja sipas degëve e skemave të sigurimit dhe masa e kontributeve, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, janë, si më poshtë: Shuma minimale mujore e kontributeve i referohet pagës minimale dhe normës së kontributit. Kontributi minimal mujor, sipas degëve dhe skemave të sigurimit, është 6 lekë dhe ndahet: “ Shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe punonjësit e papaguar të familjes, me përjashtim të të vetëpunësuarve në bujqësi, të jetë 3.4 për qind e dyfishit të pagës minimale mujore, të përcaktuar për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, e barabartë me 1 496 lekë. Ndërsa kontributi i detyrueshëm për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më shume se 87 orë në muaj, për sigurimet shoqërore,të jetë 24.5 për qind të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 15.0 për qind dhe pjesa e të punësuarit 9.5 për qind, por jo më pak se paga minimale dhe jo më shumë se paga maksimale, e përcaktuar në këtë vendim, për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore. Kurse për sigurimin e kujdesit shëndetësor, pagesa do të jetë 3.4 për qind të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 1.7 për qind dhe pjesa e të punësuarit 1.7 për qind, por jo më pak se paga minimale, e përcaktuar në këtë vendim, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimit të kujdesit shëndetësor. Kontributi i detyrueshëm për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, për sigurimet shoqërore, do të jetë 23.3 për qind të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 13.9 për qind dhe pjesa e të punësuarit 9.4 për qind, por jo më pak se paga minimale dhe jo më shumë se paga maksimale, e përcaktuar në këtë vendim, për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore. Për të njëjtën kategori, kontributi për sigurimin e kujdesit shëndetësor, do të jetë 3.4 për qind të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 1.7 për qind dhe pjesa e të punësuarit 1.7 për qind, por jo më pak se paga minimale e përcaktuar në këtë vendim, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimit të kujdesit shëndetësor. Kurse i vetëpunësuari dhe i vetëpunësuari që punëson të tretë, me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi, të paguajë për vete një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore, në masën 23 për qind të pagës, por jo më pak se paga minimale mujore dhe sipas përcaktimit të vetë personit, deri në nivelin e pagës maksimale për efekt të kontributeve shoqërore. I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht, me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi, të paguajë kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore, në masën 23 për qind të pagës mujore minimale prej 22 mijë lekësh, e barabartë me 5 060 lekë në muaj. Personat mbi moshën 18 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, që nuk kane sigurim tjetër të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, të paguajnë një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shëndetësore, në masën 3.4 për qind të dyfishit të pagës minimale mujore, e barabartë me 1 496 lekë në muaj.

Punëtorët e shtëpisë

Personat e punësuar, që punojnë me kohë të plotë apo të pjesshme pune, si punëtorë shtëpie në familjet e të tjerëve, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për degën e pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Konsiderohen “punëtorë shtëpie” personat që punësohen nga kryefamiljari, në punë të tilla si, kujdestar për fëmijët, kuzhinier dhe pastrues.

Nxënësit dhe studentët

Nxënësit e shkollave të mesme apo profesionale, si edhe studentët, për kohën e programuar të praktikës mësimore dhe praktikave profesionale pa pagesë, për të cilët paguhen kontribute nga punëdhënësi, në nivelin minimal, vetëm për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, për aq kohë sa është përcaktuar në kontratë.

Kush quhen të vetëpunësuar

Si persona të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi dhe ambulantë konsiderohen personat që vetëpunësohen në veprimtari të përkohshme e të vijueshme, por pa një vendqëndrim apo shërbim të përcaktuar. Janë gjithashtu të vetëpunësuar me punë të përkohshme e me ndërprerje gjatë javës, por pa një vendqëndrim apo shërbim të përcaktuar. Po kështu edhe ata që kanë një punë të vijueshme, në veprimtari tregtare në tezga, pa vendqëndrim të përhershëm ose në mjete që lëvizin si dhe ata që kanë punë të vijueshme, në veprimtari transporti, me ndërprerje gjatë javës.

Fillestarët

Personat e punësuar për herë të parë, në subjekte të cilat zhvillojnë aktivitete ekonomike sipas Regjimit të Përpunimit Aktiv (fason), për një periudhë deri në tre muaj të formimit profesional, për një profesion të caktuar, të kualifikuar, që sigurohen në mënyrë të detyrueshme, në nivel minimal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat