Krijohet Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale

Shqipëria

Krijohet Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale

Më: 28 janar 2015 Në ora: 20:15

Këshilli i Ministrave vendosi sot krijimin e Agjencisë për Zbatimin e Reformës Territoriale (AZRT), si institucion publik qendror, person juridik, me seli në Tiranë.

Ky institucion do të jetë në varësi të ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore Bledi Çuçi, që financohet nga buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera të ligjshme. AZRT-ja ka si mision dhënien e ndihmës për garantimin e vazhdueshmërisë së funksioneve dhe shërbimeve publike, në nivel vendor, në kuadër të zbatimit të reformës administrativo-territoriale.

AZRT-ja ka si qëllim mundësimin e zbatimit të reformës administrativo-territoriale, nëpërmjet bashkërendimit të të gjitha masave, proceseve dhe mbështetjes administrative deri në arritjen e funksionalitetit të plotë të 61 bashkive të reja.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, AZRT-ja ka këto detyra dhe përgjegjësi specifike:

a) Mbështet ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore në bashkërendimin e masave dhe proceseve ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organeve të qeverisjes vendore, në kuadrin e zbatimit të reformës administrativo-territoriale.

b) Mbështet dhe udhëzon punën administrative të institucioneve shtetërore dhe organeve të qeverisjes vendore për zbatimin e legjislacionit në fuqi, në kuadër të zbatimit të reformës administrativo-territoriale.

c) Ofron shërbime për njësitë e qeverisjes vendore, në kuadrin e zbatimit të reformës administrativo-territoriale.

ç) Bashkërendon punën me organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë që mbështetin reformën administrativo-territoriale.

d) Ndërmerr dhe/ose zbaton projekte në mbështetje të njësive të qeverisjes vendore për garantimin e funksionalitetit administrativ dhe infrastrukturor, në kuadrin e reformës administrativo-territoriale.

dh) Ndihmon në hartimin e ndryshimeve dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor për zbatimin e reformës administrative-territoriale.

e) Informon në mënyrë periodike institucionet publike dhe grupet e interesit për ecurinë e zbatimit të reformës administrativo-territoriale.

ë) Bën vlerësimin e kërkesave të njësive të qeverisjes vendore për përdorimin e fondit tranzitor për zbatimin e reformës territoriale, të parashikuar në pikën 8, të aneksit nr.1, bashkëlidhur ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”. Mbi bazën e këtij vlerësimi, AZRT-ja i propozon ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore hartimin dhe iniciimin e projektvendimeve për përdorimin e këtij fondi për shqyrtim në Këshillin e Ministrave.

AZRT-ja ka gjithsej 12 punonjës. Organigrama dhe struktura e AZRT-së përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.

AZRT-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj agjencie.

Drejtori i Përgjithshëm i AZRT-së emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore.

Marrëdhëniet e punës së punonjësve të kësaj agjencie rregullohen me Kodin e Punës. Ata emërohen, lirohen ose shkarkohen nga drejtori i Përgjithshëm, me miratimin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore.

Ngarkohen Kryeministria, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat