Atentati ndaj Sulojt, Prokuroria: Karta SIM e blerë në treg të zi

Shqipëria

Atentati ndaj Sulojt, Prokuroria: Karta SIM e blerë në treg të zi

Më: 28 janar 2015 Në ora: 18:47

Karta e telefonit me të cilën është telekomanduar shpërthimi me eksploziv në automjetin me të cilin po udhëtonte drejtori i burgut të Fushë-Krujës, është blerë në tregun e zi. Kështu kanë thënë për A1 Report burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Sipas burimeve është identifikuar tregtari i cili e ka shitur këtë kartë SIM, por pasi është marrë në pyetje ai ka deklaruar “se nuk e mban mend kujt ia ka shitur këtë kartë”.
Në 19 janar automjeti i drejtorit të burgut të Fushë-Krujës ka shpërthyer teksa ndodhej në lëvizje. Shpërthimi ndodhi pak pasi Arben Suloj ishte futur me automjet në territorin e portit detar, nga hyrja numër 2 për të shkuar në vendin e punës.

Pas shpërthimit Arben Sulo ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është përplasur me një shtyllë të sinjalistikës dhe rrethimin e portit. 46-vjeçari është dëmtuar në gjymtyrët e poshtme dhe pjesën e kolonës. Nga shkalla e dëmtimit të mjetit rezulton se është përdorur një sasi e vogël eksplozivi për të kanosur me jetë drejtorin e burgut, një oficër karriere në radhët e policisë së Durrësit që në fillim të viteve ‘90.

Aktualisht drejtori i burgut te Fushë-Krujës po kurohet jashtë vendit, ndërsa Drejtoria e Burgjeve ka komanduar një tjetër drejtues në këtë burg.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat