Presidenti i Komisionit të Venecias apel për dialog për reformat

Shqipëria

Presidenti i Komisionit të Venecias apel për dialog për reformat

Më: 28 janar 2015 Në ora: 16:47

Për Presidentin e Komisionit të Venecias, dekriminalizimi i parlamentit mund të zbatohet në legjislaturën e ardhshme. Para largimit nga Shqipëria, Bukuikio apelon për dialog politik për reformat.

Vetëm duke kapërcyer kulturën politike të përçarjes dhe e konfliktit, mund të kryhen reformat e nevojshme legjislative në Shqipëri. Deklarata vjen nga Presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio, i cili fton palët për konsensus.
“Një reformë jetëgjatë dhe e suksesshme mund të arrihet vetëm në bazë të një dialogu konstruktiv dhe të përgjegjshëm mes forcave parlamentare dhe me konsultime të mjaftueshme me shoqërinë civile dhe ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Koha është thelbësore, por reformat nuk duhet as të nxitohen dhe as të zvarriten”, deklaroi Buquicchio.
Sanksionimet në ligj, për një Parlament të pastër nga personat me të kaluar të dyshimtë, duhet të zbatohen për legjislaturën e ardhshme, tha ai.
“Dekriminalizimi i Parlamentit mund të arrihet nëpërmjet një reforme legjislative që do të aplikohej për organet e ardhshme zgjedhore. Komisioni i Venecias është i gatshëm të ndihmojë duke organizuar një shkëmbim mendimesh midis forcave politike shqiptare dhe ekspertëve ndërkombëtarë nga vendet me përvojën e përshtatshme në këtë fushë”, tha ai.
Në ditën e fundit të qendrimit në Tiranë, Buquicchio u takua me Presidentin e Republikës Nishani, i cili theksoi nevojën për ekspertizë nga Komisioni i Venecias për një reforme tërësore dhe pa militantizëm politik që do t’u shërbejë nevojave për drejtësi të qytetarëve shqiptarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat