HEC i Devollit, deputetët e PS sulmojnë LSI për shpërdorim detyre

Shqipëria

HEC i Devollit, deputetët e PS sulmojnë LSI për shpërdorim detyre

Më: 28 janar 2015 Në ora: 16:37

Deputetët socialistë në Komisionin e Ligjeve i kërkuan Qeverisë të përgatisë një dosje për shpërdorim detyre në lidhje me moszbatimin e kontratës me kompaninë Statkraft për hidrocentralin e Devollit. Shteti shqiptar nuk ka përmbushur detyrimet e tij në lidhje me infrastrukturën plotësuese, për të cilën nuk janë parashikuar fonde në asnjë prej buxheteve të viteve 2013, 2014 e 2015. Por deputetët e PS u përqëndruan vetëm në periudhën kur Ministrinë e Energjitikës e drejtonte LSI, si aleate e demokratëve.

Pamundësia e shtetit shqiptar për të respektuar kontratën me kompaninë Statkraft në lidhje me ndërtimin e infrastrukturës plotësuese të hidrocentralit të Devollit, ka sjellë ndryshimin e marrëveshjes dypalëshe. Statkraft ka marrë përsipër ta ndërtojë ajo këtë infrastrukturë, në këmbim të uljes së riskut.
Duke përfituar nga ky ndryshim, socialistët në Komisionin e Ligjeve përfituan për të sulmuar LSI-në.

Zv/ministri i Energjitikes, duket se nuk e kuptoi se ku donte të dilte Bashkim Fino dhe nisi të përgjigjej për pjesën e qeverisjes së socialistëve. Por deputetët e PS-së ndërhynë duke i lënë të Ilir Bejtjes të kuptohjë se duhej të fokusohej në vitin 2013, kur Ministrinë e Energjitikës e drejtonte Edmond Haxhinasto i LSI-së.
Ilir Bejtjes iu desh të zhgënjente deputetët e partisë së tij pasi nuk kishte përgatitur asnjë dosje për shpërdorim detyre.

Por Bashkim Fino nuk hoqi dorë dhe ia kërkoi Qeverisë si kusht për të dhënë votën e tij në favor të ndryshimit të marrëveshjes.

Gjatë votimit në komision Fino abstenoi, ndërsa komisioni e miratoi ndryshimin duke ia kaluar sallën plenare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat