"2015-a, viti i investimeve të mëdha"

Shqipëria

"2015-a, viti i investimeve të mëdha"

Më: 27 janar 2015 Në ora: 19:23

Kryeministri Edi Rama deklaroi se viti 2015 për Shqipërinë, do të jetë viti i investimeve të mëdha. Rama theksoi se për këtë vit, objektivat e qeverisë do të jenë shumë herë më tepër ambicioze në fushën e investimeve dhe të turizmit, të cilat janë dy fusha që sjellin të ardhura për vendin.

“Investimet e huaja janë prioriteti ynë këtë vit. Do të kryejmë dy reforma kryesore, atë për investimet dhe për turizmin. Gjatë pak javëve në vijim do të jemi në gjendje që t’ju japim një projektligj të ri, që do të jetë i rëndësishëm, pasi do të ndryshojë marrëdhënien mes sektorit privat e qeverisë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se ligji për investimet strategjike do të lejojë që investimet e huaja të lëvizin më me shpejtësi në vend, dhe të shmangen pengesat. Sipas Ramës, botës së biznesit duhet t’i kushtohet shumë rëndësi sepse ndihmon në të ardhurat e vendit. Kryeministri u shpreh i lumtur për vlerësimin e raportit të “Doing Business”, por theksoi se Shqipëria nuk duhet të mjaftohet me kaq, por duhet të luftojë për më shumë.

“Jemi të lumtur të shohim se në bazë të vlerësimit të fundit “Doing Business” vendi ka hedhur hapa para, por nuk duhet të jesh i kënaqur me kaq, duhet të bëjmë më tepër”.

Rama u shpreh se 2015-a do ta shohë Shqipërinë si një destinacion investimesh, pasi vendi ynë është i gatshëm të ofrojë më shumë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat