Holokausti, Bushati: Barbaria të mos gjejë rrugë mes nesh

Shqipëria

Holokausti, Bushati: Barbaria të mos gjejë rrugë mes nesh

Më: 27 janar 2015 Në ora: 18:17

“Asnjë fjalë nuk mund të rrokë, thellësinë e krimit dhe përçudnimit që u ushtrua mbi dinjitetin njerëzor”.

Kështu deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, në ceremoninë e përvitshme të Ditës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, që u organizua në bashkëpunim me zyrën e PNUD-it në Tiranë.

Përballë imazheve të vuajtjes së hebrenjve, e më gjerë, të të gjithë popullit të vuajtjes që u bë për shkak të urrejtjes, banor i kampeve të përqendrimit, asnjë fjalë nuk mund të rrokë, thellësinë e krimit dhe përçudnimit që u ushtrua mbi dinjitetin njerëzor”, tha Bushati.

Ministri deklaroi se ky përkujtim duhet të mbetet një thirrje, gati si një apel, për të qenë gjithmonë vigjilentë e syhapur që kurrë më, barbaria mos të gjejë të drejtë qytetarie mes nesh.

Gjatë kësaj ceremonie përkujtimore e morën fjalën Ministri Bushati, Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Tiranë, Zineb Touimi-Benjelloun, dhe Ambasadori i Izraelit në vendin tonë, David Cohen, të cilët në fjalët e tyre vlerësuan shembullin shqiptar të tolerancës ndërfetare, sidomos në ditët e sotme kur bota rrezikohet nga ekstremizmi.

Këtë vit ceremonia e Ditës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit, organizuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u shoqërua dhe me fotografitë e ekspozitës Besa, e cila ka në fokus protagonistët shqiptarë të historisë së shpëtimit të hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur në Muze për një javë.

Në këtë aktivitet morën pjesë, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, deputetë, përfaqësues të bashkësive fetare dhe shoqërisë civile, si dhe pjesëtarë të familjeve të mbijetuara gjatë holokaustit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat