Përkujtohet 70-vjetori i Holokaustit në Pragë, Meta: T'u mësojmë të rinjve goditjen e racizmit

Shqipëria

Përkujtohet 70-vjetori i Holokaustit në Pragë, Meta: T'u mësojmë të rinjve goditjen e racizmit

Më: 27 janar 2015 Në ora: 17:22

Me rastin e Ceremonisë së 70-të Përkujtimore të Holokaustit zhvilluar këtë javë në Pragë, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të Kryeparlamentarëve drejtuar prej Presidentit të Parlamentit Evropian, Martin Schulz.

Gjatë fjalës së tij në forum, Meta u shpreh në Evropë, sot më shumë se kurrë, duhet të kujtojmë çfarë ka ndodhur në të shkuarën, por ç’është më e rëndësishmja ne duhet t’u mësojmë brezave të rinj si të parandalojnë goditjen e të ardhmes tonë nga mentalitetet raciste që ushqejnë kushtet e nevojshme sociale për akte dhune kriminale ose anti-Semitike.

Kryetari i Kuvendit theksoi se pasiguria sociale, papunësia, emigracioni në rritje dhe pasiguria për të ardhmen kanë shkaktuar një intolerancë të rrezikshme, si dhe lëvizje politike ekstreme, të cilat duhet t’i shohim me shumë shqetësim. Meta tha se ndihet krenar që përfaqëson Shqipërinë, vendin ku në fund të luftës kishte më shumë hebrenj se para saj, pasi pothuajse të gjithë hebrenjtë që gjatë pushtimit nazist jetonin brenda kufijve të Shqipërisë, ata me origjinë shqiptare, si dhe refugjatët nga vende të tjera, u shpëtuan.

Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit deklaroi se Shqipëria inkurajon krijimin e një entiteti të përbashkët ku parlamentet mblidhen për të shtuar komunikimin e tyre dhe ku të gjithë të mund të shkëmbejmë eksperiencat tona, duke ofruar propozime legjislative, për të garantuar që ajo çfarë ka ndodhur në të shkuarën – të jetë e paimagjinueshme për të ardhmen tonë.

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta gjatë froumit

Zoti President, Të nderuar kolegë.

Në Evropë, sot më shumë se kurrë, duhet të kujtojmë çfarë ka ndodhur në të shkuarën, por ç’është më e rëndësishmja ne duhet t’u mësojmë brezave të rinj si të parandalojnë goditjen e të ardhmes tonë nga mentalitetet raciste që ushqejnë kushtet e nevojshme sociale për akte dhune kriminale ose anti-Semitike.

Pasiguria sociale, papunësia, emigracioni në rritje dhe pasiguria për të ardhmen kanë shkaktuar një intolerancë të rrezikshme, si dhe lëvizje politike ekstreme, të cilat duhet t’i shohim me shumë shqetësim.

Sulmet e fundit në Paris, ku francezi, hebreu, artisti, gazetari dhe polici u vranë njëkohësisht për shkak të asaj që përfaqësojnë, të frymëzuar prej një teorive radikale besimi, e justifikuar me përdorimin e emrit të Zotit, na detyrojnë të jemi shumë më vigjilentë dhe të forcojmë masat tona ligjore dhe të sigurisë për të garantuar që veprime të tilla urrejtjeje mizore të mos shpërndahen tek rinia jonë, të papunët dhe qytetarët tanë të dështuar, që jetojnë në tokën evropiane.

Ndjehem krenar që sot përfaqësoj këtu Shqipërinë, vendin ku në fund të luftës kishte më shumë hebrenj se para saj. Pothuajse të gjithë hebrenjtë që gjatë pushtimit nazist jetonin brenda kufijve të Shqipërisë, ata me origjinë shqiptare, si dhe refugjatët nga vende të tjera, u shpëtuan.
Në ekspozitat e Yad Vashem gjendet një citim i vitit 1934 nga Herman Bernstein, në atë kohë Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, i cili shkruante se: “Nuk ka gjurmë të ndonjë diskriminimi ndaj hebrenjve në Shqipëri, sepse sot Shqipëria është një nga vendet e rralla në Evropë ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekzistojnë, edhe pse vetë shqiptarët janë të ndarë në tre besime”.

Ndërsa kriza ekonomike globale ka tronditur themelet e të gjitha shoqërive të Evropës dhe i ka hapur rrugën ideologjive ksenofobe dhe ekstreme, të gjithë kemi detyrimin për të garantuar që, duke kujtuar mizoritë e të shkuarës, përpjekjet e planifikuara për të asgjësuar kombin hebre, luftërat e fundit në ish-Jugosllavi, ose konfliktet e tjera sot në botë, të marrim masa ligjore dhe sociale për të parandaluar që ekstremizmi dhe terrorizmi të mbjellin rrënjët e së keqes në shoqëritë tona thelbësisht paqësore.

Por, atje ku ka sfida, ne duhet të kërkojmë për mundësi. Si Kryetarë Parlamentesh dhe si ligjvënës në vendet tona, ne duhet të nisim veprimin tonë të përbashkët kundër anti-Semitizmit, kundër anti-Evropianizmit, kundër krimeve të urrejtjes, bashkë me shoqërinë civile, përfaqësuesit e medias dhe grupet e tjera të interesit, dhe veçanërisht me përfaqësues të komuniteteve fetare.

Shqipëria inkurajon krijimin e një entiteti të përbashkët ku parlamentet mblidhen për të shtuar komunikimin e tyre dhe ku ne të gjithë të mund të shkëmbejmë eksperiencat tona, duke ofruar propozime legjislative, për të garantuar që ajo çfarë ka ndodhur në të shkuarën – të jetë e paimagjinueshme për të ardhmen tonë. Ndaj edhe Shqipëria e mbështet deklaratën tonë të përbashkët që do të miratojmë sot këtu në Pragë.

Ju falënderoj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat