Panariti takim me prodhuesit e bukës dhe miellit: S’ka rritje të çmimit

Shqipëria

Panariti takim me prodhuesit e bukës dhe miellit: S’ka rritje të çmimit

Më: 26 janar 2015 Në ora: 12:19

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, u shpreh sot se nuk do të ketë rritje të çmimit të miellit apo bukës.

Pas një takimi që zhvilloi me biznesin e përpunuesve të miellit, ministri Panariti tha se, krijimi i rezervave stok të miellit është një nga mundësitë për të mos lejuar rritjen e çmimit të miellit, ndërsa diskutoi me biznesmenët edhe për krijimin e lehtësirave fiskale.

Ministri Panariti tha se, aktualisht ka një rezervë stok mielli për një muaj dhe po tentohet që ky stok të shkojë në 2-3 muaj.

“Në momentin që flasim nuk kemi absolutisht asnjë lloj rritje të çmimit të miellit apo të bukës, por ne duhet t’i paraprijmë situatave, përpara se të kapemi nga ato. Ka disa masa, së pari duhet rritur rezerva stok e miellit. Praktikisht ne kemi një rezervë stok mielli prej një muaji furnizimi të pandërprerë. Diskutuam për mundësinë që kjo rezervë të shkojë 2 deri në 3 muaj, në mënyrë që të kemi të gjitha mundësitë për të futur në treg sasi mielli për të kundërbalancuar një rritje eventuale që çmimit të miellit në tregjet ndërkombëtare. Nga ana tjetër, u diskutuan edhe opsione të tjera, për sa i përket disa lehtësirave fiskale lidhur me miellin e importuar, njëkohësisht u diskutuan edhe për opsionet e tjera, ndoshta kursi i konvertimit lekë-dollarë për miellin që të mbahet në mënyrë të kontrolluar, por kjo është për t’u diskutuar, është një ide që u hodh nga prodhuesit e miellit”, tha Panariti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat