Avokatët: Të ndryshohet Kushtetuta, më shumë hapësirë presidentit

Shqipëria

Avokatët: Të ndryshohet Kushtetuta, më shumë hapësirë presidentit

Më: 25 janar 2015 Në ora: 18:16

Problematika që lidhet me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë ka mbledhur në një tryezë të përbashkët përfaqësues të Dhomës së Avokatisë, avokatë dhe akademikë të njohur në vend.

Ata thanë se ka ardhur momenti për të rishikuar disa norma kushtetuese, në prag të pranimit të vendit në BE.

“Duhet të kërkojmë të jemi pjesë e këtyre ndryshimeve duke dhënë mendimet tona për zgjedhjen e presidentit, kryetarëve të gjykatave, të Prokurorisë së Përgjithshme dhe në tërësi të institucioneve të drejtësisë”, deklaroi eksperti Saimir Vishaj.

Ndërsa profesori i së drejtës penale, Jordan Daci u ndal tek disa prej çështjeve që kanë sjellë jo pak probleme në vendin tonë. Duke analizuar Kushtetutën, ai tha se domosdoshmëri mbeten disa ndryshime sa i takon proçedurave të zgjedhjes së presidentit dhe kryetarit të Parlamentit.

“Të qartësojmë njëherë e mirë rolin e presidentit. Unë propozoj të rishikohet përbërja e KLD-së, për ta bërë jo këshillin e lartë të gjyqtarëve, por një këshill të drejtësisë ku të jenë të pranishëm edhe avokatët, edhe prokurorët”, deklaroi Daci.

Ndërsa profesorja Fatmira Laska hodhi idenë për t’i zgjeruar presidentit hapësirën e veprimit. “Një opsion tjetër është zgjedhja e presidentit nga populli, kjo nuk do të cënonte karakterin parlamentar të Republikës së Shqipërisë”, tha ajo.

Përfaqësuesit dhe mbrojtësit e drejtësisë nuk lanë jashtë diskutimit edhe ndikimin politik aktual në fushën e zbatimit të ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat