Rrëfimi: Mbylla mes katër mureve tim bir. Një nënë tregon fatkeqësinë e saj mes borxheve dhe drogës

Shqipëria

Rrëfimi: Mbylla mes katër mureve tim bir. Një nënë tregon fatkeqësinë e saj mes borxheve dhe drogës

Më: 25 janar 2015 Në ora: 15:50

Para 6 vjetësh humba bashkëshortin në një aksident dhe ngela vetëm me dy fëmijët, djalin 14 vjeç dhe vajzën 11.

Pavarësisht dhimbjes së madhe, duhet të bëhesha e fortë për ta. Punoja 10 orë në ditë në lokalin e disa të afërmve që të kishim të ardhura për të përballuar jetën. Goditja e dytë për mua erdhi kur mora vesh që djali merrte heroinë dhe ishte ngatërruar me një grup të droguarish. Gjithmonë ka qenë problematik dhe i përkëdhelur, por vjet filloi të vinte rrallë e më rrallë në shtëpi.

Edhe kur vinte ishte si i përhumbur, i flisje e s’të përgjigjej, në maturë ngeli. Isha shumë e shqetësuar. Rrija zgjuar deri në 3 të natës që ta dëgjoja kur të hapte portën dhe në 6 zgjohesha për në punë. I flisja në çdo lloj mënyre të hiqte dorë, të mendonte për mua e për të motrën por ishte e kotë. Nuk dëgjonte, nuk e preknin lotët tanë, ishte bërë agresiv. Përplaste derën e ikte, rrinte me ditë pa ardhur dhe kthehej vetëm kur i duheshin lekë. Një natë nuk i dhashë. “I kam borxh, tha. Po s’i ktheva do të më vrasin.” “Le të të vrasin i thashë. Koka ta ka fajin. Nuk kam ku t’i marr.” Të nesërmen kur u ktheva nga puna e gjeta shtëpinë përmbys. Kishte ardhur për të kërkuar lekë. Isha ulur për të mbledhur gjërat e hedhur në tokë, kur hapet dera. Erdhi me furi, më këputi nga qafa varsen që më kishte blerë tim shoq dhe iku me vrap.

Shpërtheva në lot dhe në të njëjtën kohë u mbusha me inat. E rrita me borxhe dhe ai më grabiti mua. Shkova drejt e në polici dhe e kallëzova. Në darkë ai erdhi në shtëpi. Ishte dyllë i verdhë në fytyrë, sytë i kishte flak të kuq dhe u shtri me gjithë këpucë në divan. Pas gjysëm ore erdhi policia. Mu këput shpirti kur erdhën dhe e morën në gjumë, por s’kisha ç’bëja më. Edhe tani që shkruaj nuk më pushojn lotët. U bënë rreth 4 muaj që ai është në burg dhe unë si kam shkuar për vizitë. Kam frikë, nuk e di sa do të dënohet. Vajza është mërzitur shumë me mua. Më thotë që e more në qafë. Unë po çmendem. Doja të shkonte në burg që të vinte mend, por kam frikë se kur të dalë do jetë më keq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat