Embargoja ruse për grurin, prodhuesit e miellit kërkojnë heqjen e TVSH-së

Shqipëria

Embargoja ruse për grurin, prodhuesit e miellit kërkojnë heqjen e TVSH-së

Më: 25 janar 2015 Në ora: 15:42

Duke filluar nga data 1 shkurt pritet që çmimi i miellit të rritet. Kjo pasi Rusia ka vendosur embargon e grurit ndaj Evropës. Ky veprim i saj, i kushton Shqipërisë gati 50 për qind të sasisë të grurit që vendi ynë përdor për nevojat e veta. Vendosja e embargos ruse mbi grurin pritet të japë efekte në tregun shqiptar duke rritur çmimin e miellit si produkt i përdorimit parësor në masën 15 për qind. Vendimi hyn në fuqi në datën 1 shkurt dhe parashikon vendosjen e një takse prej 35 eurosh për ton grurë. Por sipas drejtuesit të Unionit të Prodhuesve të Miellit, Adi Haxhiymeri, shqetësim parësor nuk është taksa që Rusia ka vendosur tashmë, por rritja dhe fuqizimi i dollarit. Rritja e dollarit ka bërë të mundur që një anije me grurë tani të kushtojë 20 mijë dollarë më tepër se e njëjta sasi e importuar në muajin dhjetor. Ndërkohë që ditën e hënë, specialistët e ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, do të zhvillojnë një takim me përfaqësuesit e importuesve të miellit. Vetë ministria e Bujqësisë thotë se taksa prej 35 euro/ton, do të sjellë një rritje, minimalisht në masën 15 për qind. Duke i shtuar vlerës së blerjes së lëndës së parë edhe 20 për qind që është taksa e TVSH-së dhe kostot e transportit, 1 shkurti e kap çmimin e miellit në treg më të lartin në vitet e fundit. Prodhuesit e miellit në Shqipëri shpjegojnë se kjo taksë do të rrisë kostot me 15 për qind, minimalisht, duke e dhënë efektin direkt në xhepat e qytetarëve. Ndërkohë rritja e dollarit që është monedha me të cilën blihet drithi sipas tyre është një tjetër shtesë e kostos për këtë produkt i cili përdoret në masë nga qytetarët shqiptarë. Duhet theksuar se edhe drithi është artikull burse.

Kërkesë ministrisë

Që çmimi i lartë të mos reflektohet në treg, kreu i Unionit të Prodhimit të Miellit, Adi Haxhiymeri, për gazetën “Shekulli” u shpreh se do t’i kërkojnë ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, heqjen e përkohshme të TVSH-së. Ky përjashtim i kësaj takse të jetë deri në periudhën kur të fillojnë korrjet e reja. Kjo sipas tyre, kjo është një kërkesë që duhet të merret parasysh. Në të kundërt, në rast se shteti do të marrë taksën 20 për qind të TVSH-së, taksa e re e çmimit e vendosur nga embargoja si edhe ndryshimi i kursit të dollarit, do të sjellë një çmim të ri të miellit në treg.

A do të rritet çmimi i bukës?

Nëse do të rritet çmimi i bukës apo jo, ky është një vendim që e marrin prodhuesit e bukës, pra furrat e bukës. Prodhimi i bukës nuk është pjesë e përgjegjësisë së importuesve të miellit. Por me një logjikë të thjeshtë të tregut të lirë, kur çmimi i lëndës së parë pëson rritje edhe çmimi i produktit final do të ketë rritje. Dhe nëse matematika e pastër do të funksionojë edhe në këtë rast, pas 1 shkurtit çmimi i bukës do të jetë rreth 120 lekë.

Importi i lëndës së parë

Shqipëria importon pjesën më të madhe të grurit i cili përdoret për miell nga Rusia dhe kjo pritet të vërë në vështirësi industrinë e përpunimit të miellit. Ndërkohë burime nga Ministria e Bujqësisë bëjnë me dije se ky problem po ndiqet nga afër dhe ditën e hënë Ministri do të diskutojë me prodhues të miellit për të gjetur një zgjidhje. Sipas ministrisë gjetja e tregjeve të reja për importin e grurit është një prej zgjidhjeve që do t’i jepet prodhuesve të miellit. Por për vetë përfaqësuesit e kësaj industrie gjetja e burimeve te tjera për furnizim është e vështirë dhe do kohë. Shqipëria importon mbi 50 për qind të grurit nga Rusia dhe pjesën e mbetur nga Serbia e cila gjithashtu e importon grurin nga ky vend. Rusia ka vendosur embargo për një sërë produktesh që eksporton si një kundërpërgjigje për sanksionet e vendosura nga BE ndaj këtij vendi, por edhe si një mënyrë për të frenuar inflacionin në këtë vend. Embargoja e vendosur nga Rusia pritet të prekë një sërë vendesh europiane pasi është transportuesi i katërt më i madh i drithërave në botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat