“Hajdutët e Energjisë”, 13 persona të arrestuar në tri ditët e fundit

Shqipëria

“Hajdutët e Energjisë”, 13 persona të arrestuar në tri ditët e fundit

Më: 25 janar 2015 Në ora: 12:38

Policia e Shtetit dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kanë bërë të mundur arrestimin e 13-të personave në kuadër të operacionit “Hajdutët e Energjisë”.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, në të gjithë vendin gjatë tre ditëve të fundit kanë vepruar 95 grupe të përbashkëta Polici – OSHEE, çdo ditë. Janë kryer kontrolle të përbashkëta Polici – OSHEE në 4.245 raste .

Si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 43 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 43 autorë.

Nga këta janë arrestuar në flagrancë 13 persona të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike. Janë shpallur në kërkim 22 persona, si dhe ndiqen në gjendje të lirë 8 persona. Gjithashtu janë ndërprerë 2.654 lidhje të abonentëve debitorë dhe 43 lidhje të paligjshme, si dhe janë kontrolluar 221 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina.

Policia e Shtetit dhe OSHEE garantojnë se janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat