E përzunë nga shtëpia e ish-pronarëve, 60-vjeçarja mbijetesë në shkallët e pallatit

Shqipëria

E përzunë nga shtëpia e ish-pronarëve, 60-vjeçarja mbijetesë në shkallët e pallatit

Më: 25 janar 2015 Në ora: 09:33

E braktisur nga të gjithë, një 60-vjeçare nga qyteti i Korçës që prej 3 muajsh po përjeton ferrin. Pëllumbesha Zhigo, e cila është përzënë me forcë nga ish-pronari prej banesës ku jetonte, i kalon netët dhe gdhihet çdo mëngjes në shkallët e ftohta të një pallati. E ndërsa ka prekur kufijtë e mbijetesës dhe shpreson që e nesërmja të mos gjejë të vdekur, Zhigo nuk ankohet, nuk i lutet askujt. Thjesht thotë se pret një përgjigje nga Bashkia e Korçës, nëse është mundësia që t’i gjendet një strehë ku të futë kokën. 60-vjeçarja është grua e pazakontë, pasi dje deklaroi në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se mund t’ia dalë vetë mbanë. Me çantat në krah, me fatin e nomadit, merr sërish rrugën drejt askundit.

Prej sa kohësh jeton në shkallët e këtij pallati?

Kam 3 muaj që fle këtu. S’kam ku të shkoj në vend tjetër. Më përzunë nga shtëpia ku jetoja që para 3 vjetësh, pasi erdhi pronari, i cili e ndërtoi nga e para. Ata më nxorën me dhunë. Kam shkuar në bashki ku kam bërë kërkesë për shtëpi, por nuk mendon njeri për mua.

Nuk keni fëmijë ose të afërm që mund t’iu strehojnë përkohësisht?

Fëmijë nuk kam. Edhe ata pak të afërm që kam, nuk më duan, pasi i humba të gjitha e përfundova këtu. Megjithatë unë ia dal vetë, jam e zonja të nxjerr shpenzimet e mia. Mbledh kanaçe ku të munden dhe i shes.

A keni ftohtë kur flini mbi pllaka gjithë natën?

Kam, si nuk kam?! Ngrysem e gdhihem me rrobat e trupit. Këto muaj po kaloj një situatë të tmerrshme, pasi është dimër e ngrin. Jam edhe e sëmurë, pasi kam kaluar trombozë në këmbë. Punova një jetë në një fabrikë në komunizëm e tani jam e pashpresë. Më kanë braktisur të gjithë.

A ka ardhur dikush të të ndihmojë?

Jo, asnjeri. Gjithsesi s’kam nevojë. Mund t’ia dal edhe vetë. Kjo ishte jeta ime. Fati im.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat