Rrahu nxënësin, pezullohet mësuesja

Shqipëria

Rrahu nxënësin, pezullohet mësuesja

Më: 23 janar 2015 Në ora: 22:41

Mësuesja që u filmua duke dhunuar nxënësin e saj në një shkollë 9-vjeçare në Bajzë të Malësisë së Madhe është pezulluar nga detyra.

Lajmi bëhet i ditur nga vetë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, në një reagim lidhur me videon ku mësuesja e matematikës prej 13 vitesh, Suela Pirani, shfaqet duke dhunuar nxënësin gjatë orës së mësimit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja Nikolla e ka dënuar këtë akt, të cilën ajo e cilëson të shëmtuar, si dhe ka njoftuar pezullimin e saj. Sipas Nikollës, ndaj mësueses është bërë kallëzim penal dhe kanë nisur hetimet.

Ministrja i fton nxënësit dhe prindërit të denoncojnë të gjitha rastet kur mësuesit shkelin etikën e profesionit, duke nënvizuar se asnjë rast i tillë nuk do të tolerohet.

(Video ku mësuesja shfaqet duke dhunuar nxënësin)

Mesazhi i plotë i ministres së Arsimit Lindita Nikolla

DHUNA NUK KA VEND NË SHKOLLAT TONA!

Si Ministre e Arsimit dhe Sportit jam e keqardhur nga ngjarja e dhunës transmetuar në media dhe në rrjete sociale. Kemi vepruar menjëherë, pa hezitim, pa mëdyshje. Në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale dhe Policinë e Shtetit verifikuam ngjarjen që shfaqet në video.

Rezulton se mësuesja e shfaqur në këto plane filmike, është znj. Suela Pirani, mësuese prej 13 vitesh e lëndës së matematikës. Ngjarja ka ndodhur ditën e enjte datë 23.01.2015, gjatë orës të matematikës në klasën e VII-të shkollës 9 vjeçare “Prek Gjoni”, në Bajzë të Malësisë së Madhe. Pas verifikimit, Drejtoria Arsimore e Qarkut Shkodër dhe drejtoria e shkollës ka pezulluar menjëherë nga detyra mësuesen Pirani, si dhe është bërë kallëzim pranë organeve përkatëse.

Dënoj ashpër këtë akt të shëmtuar dhe jashtë çdo lloj etike të profesionit. Ftoj të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit dhe çdo qytetar në vend, të mos hezitojnë të denocojnë çdo lloj akti dhune i cili cënon të drejtat themelore dhe të shtrenjta të fëmijëve tanë si dhe dëmton rëndë imazhin e shkollës. Dhuna nuk ka vend në shkollat tona! Jam thellësisht e vendosur për t’u përballur me sfidën që kemi të gjithë së bashku për të larguar dhunën nga shkolla, nga komuniteti dhe nga familja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat