Patozi debat me Bashën: Çfarë fituam nga 6 muaj bojkot?

Shqipëria

Patozi debat me Bashën: Çfarë fituam nga 6 muaj bojkot?

Më: 25 dhjetor 2014 Në ora: 11:17

Opozita rikthehet në Kuvend pas 6 muajve bojkot. Në seancën e djeshme plenare, e fundit për këtë vit, mazhoranca dhe opozita vulosën marrëveshjen mes tyre duke votuar me 126 vota projektrezolutën e hartuar pas debateve të gjata por dhe ndërmjetësimit thelbësor të ndërkombëtarëve. Por ndërsa deri mëngjesin e djeshëm debati ishte kryesisht mes palëve, dje diskutimet janë zhvendosur edhe brenda grupeve parlamentare të socialistëve e demokratëve. Në një mbledhje të Grupit të PS-së, të zhvilluar menjëherë pas Konferencës së Kryetarëve, deputeti Xhemal Qefalia ka ironizuar pikën e parë të rezolutës që kushtëzon 84 votat e mazhorancës. E ndërsa në mbledhjet me dyer të mbyllura të demokratëve ka qenë Astrit Patozi, i cili ka kërkuar sqarime nga kryetari Basha se çfarë fitoi opozita nga bojkoti gjashtëmujor. Pas debateve në grupe ka rinisur seanca plenare ku kanë mbërritur, me 10 minuta vonesë, edhe deputetët demokratë. E para që mbërriti në sallë ishte Jozefina Topalli dhe pas saj gjithë ligjvënësit e tjerë demokratë. Ndërsa kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi i ishte bashkuar më herët seancës, pa u bërë pjesë e mbledhjes së grupit demokratë. Socialistët e shoqëruan hyrjen e opozitarëve edhe me batuta nga vendi apo urime mirëseardhjeje. Kryeministri Edi Rama ka rastisur të ulet në vendin e tij ndërsa në sallë po hynte paraardhësi i tij, Sali Berisha.

Debatet në grupin e PS-së

Vendimi për miratimin e rezolutës së përbashkët edhe mëngjesin e djeshëm është parapritë nga debate. Diskutimet kanë nisur fillimisht në Konferencën e Kryetarëve ku demokratët propozuan që në axhendën e ditës të përfshihej vetëm projektrezoluta, kërkesë e kundërshtuar nga kreu i deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi. Pas kësaj palët kanë marrë kohë shtesë për të ridiskutuar në grupet parlamentare. Në mbledhjen e socialistëve ka qenë fillimisht Arta Dade e cila ka kërkuar që deputetët të njihen me projektrezolutën para se të jepnin votën pro saj. Deputeti Xhemal Qefalia, shkoi më tej kur shprehu pakënaqësitë e tij për pikën e parë të rezolutës ku përcaktohet që “mazhoranca qeverisëse nuk do të përdorë shumicën e saj të cilësuar (3/5) për të anashkaluar opozitën, por do të kërkojë konsensus me opozitën për reforma të rëndësishme, kurdoherë që është e mundur”. “Kjo rezolutë nuk është serioze. Nëse ne nuk mund të përdorim 84 votat atëherë dhe opozita të pranojë që të na japë dy vota kur ne kemi vetëm 69”, - ironizoi Qefalia. Më herët kryeministri Edi Rama dhe kreu i deputetëve, Gramoz Ruçi kanë njohur deputetët me konsensusin e arritur mes palëve, ndërsa Taulant Balla ka lexuar projektrezolutën.

Debatet në grupin e PD-së

Pak para futjes në Kuvend, për herë të parë pas gati një gjashtë muajsh, deputetët kritikë të Lulzim Bashës, Astrit Patozi, Genc Ruli dhe Jozefina Topalli u ulën në kafenenë e ë SHQUP-it bashkë me deputetët e tjerë të PD-së: Arben Ristanin, Eduard Halimin, Oerd Bylykbashin, të cilët nga zgjedhjet e fundit të PD-së kanë kapur pozicionet më të rëndësishme në hierarkinë e partisë. Më pas Lulzim Basha thirri në një takim deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për të ezauruar vendimin që duhet të merrnin deputetët e djathtë. Mësohet se në fjalën e tij kreu demokrat Basha, u ka raportuar deputetëve demokratë për marrëveshjen e nënshkruar me mazhorancën dhe vendimin për t’i dhënë fund bojkotit. Pas fjalës së Bashës kanë reaguar disa nga rivalët e tij, të cilët e kanë cilësuar bojkotin të pavlerë dhe aspak produktiv. I pari është hedhur Astrit Patozi i cili e ka cilësuar bojkotin kohë të harxhuar kot. “A mund të na thoni se çfarë fitoi opozita nga bojkoti gjashtëmujor z Basha, dhe nga ajo që shohim sot pas 6 muajsh bojkot, kujt i ka shërbyer bojkoti përveç se Ramës?”. Qëndrimit me tone të ashpra të Patozit i është përgjigjur Basha, duke u munduar t’i shpjegojë se nga kjo marrëveshje e negociuar nga Parlamenti Evropian roli i opozitës do të jetë përcaktues për jetën parlamentare që do të zhvillohet në kuvend. Ndërkohë dhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka është munduar të sqarojë arsyet që nxitën bojkotin dhe prishjen e tij. “Nëse dikush e sheh këtë marrëveshje si një akt sa për të kaluar radhën, gabon. Interesin tonë si opozitë e shohim të lidhur ngushtë me interesin e qytetarëve”, tha Paloka. Në fund të mbledhjes deputetët ranë dakord që të mos ketë asnjë diskutim në sallë, përveç fjalës së kreut të grupit të PD Edi Paloka.

Berisha: Fitore e madhe për demokracinë

Ish-kryeministri Sali Berisha menjëherë pas përfundimit të seancës parlamentare ka deklaruar para mediave se arritja e marrëveshjes është një fitore për demokracinë në vend. Më pas Berisha tha se bojkoti i opozitës nuk ishte i ngjashëm me shumë të tjerë përpara tij. Sipas tij, bojkotit të PD-së i dhanë të drejtë edhe institucionet e Parlamenti Evropian. Berisha më tej është rikthyer te akuzat e bëra edhe më parë prej tij dhe Bashës. “Edi Rama duket se ka një dosje më të plotë për Ilir Metën, pasi ndryshe, nëse dosja nuk do ishte shqyrtuar nga ekspertë ndërkombëtarë të shquar, askush nuk do mund të kërkonte arrestimin e zotit Meta”, - tha Berisha, duke mos harruar të theksojë më tej se për këtë nuk ka asnjë fakt. Ndërkohë dje pasdite dhe kreu i PD-së Lulzim Basha përshëndeti rikthimin e opozitës në kuvend dhe komentoi rezolutën e votuar me konsensus. Sipas tij, rezoluta e votuar i dha fund kriminalizimit të kuvendit. “Ne mbrojtëm Kuvendin duke shpallur papajtueshmërinë me kriminalitetin aty. Hapi i ri është vënia në jetë e kësaj rezolute për dekriminalizimin e Kuvendit dhe kjo nuk është fundi, por fillimi i punës, ose thënë ndryshe është fillimi i fundit të kriminalizimit të Kuvendit. PD-ja është e vendosur për ta çuar deri në fund marrëveshjen e arritur”, - tha Basha gjatë fjalës së tij.

Flekenshtajn dhe Kukan: Bashkëveprimi të vazhdojë

Dy eurodeputetët Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn, të cilët ishin negociatorët e mandatar nga faktori ndërkombëtar për të pajtuar mazhorancën dhe opozitën, dhe për të mundësuar këtë të fundit që të rikthehet në Kuvend, kanë përshëndetur finalizimin e marrëveshjes mes palëve politike në Shqipëri, që solli thyerjen e bojkotit 6-mujor të Partisë Demokratike. Përmes postimeve në rrjetet sociale, eurodeputetët Kukan dhe Flekenshtajn kanë vlerësuar gjetjen e marrëveshjes mes palëve, ndërsa kanë shprehur dëshirën e tyre dhe të faktorit ndërkombëtar që ky bashkëpunim të vijojë edhe në të ardhmen. “Sukses misioni i fundit. Përgëzime të gjithë miqve shqiptarë në finalizimin e marrëveshjes së rëndësishme për bashkëpunimin parlamentar, shpresoj që bashkëpunimi të vazhdojë”, - shkruan Kukan. Edhe Flekenshtajn e ka vlerësuar firmosjen e marrëveshjes si tepër të rëndësishme. “Sapo mora mesazhin, se edhe Partia Demokratike ka nënshkruar rezolutën e përbashkët që do ta kthejë në parlament. Një ditë e madhe për Shqipërinë! Faleminderit të gjithëve që mundësuan më të mirën. Përpjekjet e mia dhe të Eduard Kukan nuk ishin të pavlefshme. Gëzuar Krishtlindjet të gjithë miqve shqiptarë”, - përfundon mesazhi i eurodeputetit Knut Flekenshtajn në rrjetin social “Facebook”.

Mosdjegia e mandateve, Balla ironi me Berishën

Deputeti socialist Taulant Balla ka ironizuar rikthimin e Sali Berishës në kuvend ndërsa ka pohuar se në këtë mënyrë ka evituar ngritjen e një komisioni të posaçëm për pension pleqërie. “Jam i gëzuar që është kthyer në kuvend Berisha, është e pafalshme që të digjej mandati për të. Do bënim një seancë të jashtëzakonshme që t’i miratonim një pension të veçantë që të vazhdonte një pleqëri të mbarë. Fakti që brenda Partisë Demokratike disa deputetë kanë kundërshtuar vijën e Berishës e Bashës, për rikthimin në Parlament, tregon që ajo që ne patëm thënë se ne do të rilindim Shqipërinë, kemi rilindur dhe PD-në. U çliruan nga makthi i humbjes së mandateve që e vuajnë prej 25 vitesh nga Berisha”, - deklaroi Balla.

Nishani: Rezoluta të zbatohet me besnikëri

Rezoluta e miratuar dje në Kuvendin e Shqipërisë me vota unanime të mazhorancës dhe opozitës u përshëndet dhe nga Presidenti i Republikës, Nishani. Me anën e një deklarate për mediat, Presidenti e konsideron rezolutën si një akt që dëshmon pjekuri politike tek të gjitha palët dhe i bën thirrje të gjithë aktorëve politikë që t’u qëndrojnë e zbatojnë me besnikëri, vendosmëri dhe në bindje të plotë, angazhimeve të ndërmarra ndërsjelltas. Nishani ka vlerësuar angazhimin dhe vëmendjen në rritje që Bashkimi Evropian po i kushton zhvillimit të mëtejshëm të vendit në të gjitha drejtimet dhe posaçërisht rolin shumë të dobishëm të eurodeputetëve që u angazhuan për normalizimin e jetës parlamentare në vend. Sipas kreut të shtetit ky është një hap pozitiv në vigjilje të vitit të ri, gjatë të cilit qytetarët shqiptarë presin nga klasa politike më shumë punë për zgjidhjen e problemeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.

Kuvendi voton Sejkon dhe dy anëtarët e tjerë të Këshillit Mbikëqyrës

Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje tre anëtarët më të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, Tonin Kola dhe kandidatin e dekretuar nga Presidenti për guvernator, Gent Sejko, i cili mori edhe votat e opozitës me rikthimin e saj në Kuvend. Gent Sejko ka siguruar 111 vota pro, 7 kundër, 8 abstenim. Tonin Kola ka marrë 82 vota pro, 39 kundër, 2 abstenim ndërsa Natasha Ahmetaj ka marrë 74 vota pro, 47 kundër dhe 4 abstenim. Me miratimin e tre kandidaturave, plotësohen 3 nga katër vendet bosh në këtë Këshill, duke e çuar kështu në tetë numrin e anëtarëve. Kuvendi miratoi gjithashtu 3 kandidaturat për anëtarë të Bordit Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Votat e mazhorancës dhe opozitës janë bashkuar më së miri gjatë votimit të Enkeleda Shehin e cila siguroi 122 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim ndërkohë që Arjan Salati ka marrë 74 vota pro, 46 kundër dhe 4 abstenim. Emri i tretë si pjesë e bordit të AMF-së, Mimoza Kaçi siguroi 75 vota pro, 42 kundër dhe 7 abstenim. Enkeleda Shehi do të mbajë edhe postin e kryetares së Bordit të AMF-së, ndërsa Mimoza Kaçi atë të nëndrejtores Ekzekutive të Bordit të AMF-së. Po dje seanca plenare miratoi me 75 vota pro, 50 kundër dhe 1 abstenim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9665, datë 18.12.2006 “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”.

Deputetja Blerina Gjylameti tha se projektligji synon përmirësimin e kuadrit ligjor në fushën e huamarrjes shtetërore, borxhit shtetëror dhe garancive shtetërore të huasë, duke e harmonizuar atë me praktikat më të mira të tregjeve ndërkombëtare të parasë. “Procedura e ratifikimit me ligj të marrëveshjeve të huasë shtetërore apo garancive shtetërore të huasë, në rastet kur lidhen me subjekte tregtare private, zgjat procesin dhe ngushton hapësirat për të arritur norma interesi më të ulëta, duke i deklaruar ato publikisht përpara se të ndodhin transaksionet në tregjet financiare. Kjo procedurë, në praktikë, prek konfidencialitetin e termave të referencës së kredive dhe ndikon në rritjen e kostos së tyre. Për më tepër, një procedurë e tillë nuk ndiqet në shumicën e vendeve të zhvilluara”, - u shpreh Gjylameti. Projektligji “Për një shtesë dhe ndryshim në ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar”, u miratua me 75 vota pro dhe 49 kundër. Ndërsa projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin e ndërtimit” të ndryshuar”, siguroi 75 vota pro dhe 50 kundër. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e Unionit “Doganat 2020” u miratua me 123 pro. Me konsensus, mazhoranca dhe opozita miratuan me 100 vota pro, 6 kundër dhe 2 abstenim projektrezolutën “Për njohjen dhe forcimin e rolit të shoqërisë civile në procesin e zhvillimeve demokratike të vendit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat