Miratohet vendimi, shtohen përfitimet financiare për deputetët

Shqipëria

Miratohet vendimi, shtohen përfitimet financiare për deputetët

Më: 25 dhjetor 2014 Në ora: 08:27

Shtohen përfitimet financiare për deputetët. Kuvendi ka miratuar dje me 82 vota pro, 6 kundër dhe 2 abstenim projektvendimin “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”, i cili përcakton rritje të të ardhurave për ligjvënësit që jetojnë me qira në kryeqytet, por edhe për krerët e grupeve parlamentare dhe të komisioneve. Kështu me ndryshimet e bëra vlera mujore e qirasë që përfitojnë deputetët që nuk jetojnë në Tiranë shkon në 35 mijë lekë, nga 30 mijë lekë që ishte deri tani.

Ndërkohë që është reduktuar paraqitja e dokumentacionit vërtetues nga dy herë në vit në vetëm një herë. Ndryshimet e bëra përjashtojnë nga përfitimi deputetët që jetojnë në Elbasan dhe Lezhë. Ndërsa 3 kryetarët e llogagrupeve parlamentare të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim përfitojnë shtesë 23515 lekë në muaj. Për kryetarin e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet shtesa është 7838 lekë. Po kaq përfitojnë shtesë mbi pagë dhe 8 kryetarët e komisioneve të përhershme. Efektet financiare vjetore vetëm për këto shtesa janë 1 128 696 lekë. Në këtë mënyrë krerët e komisioneve parlamentare kanë një diferencë page në krahasim me deputetët e thjeshtë, prej 5 për qind më shumë.

Janë përfshirë në pagesa shtesë edhe mbledhjet e këshillave dhe Byrosë së Kuvendit të cilat më parë parashikoheshin me vendime të veçanta të marra kohë pas kohe. Në vendim është shtuar edhe e drejta për shkëmbim dhuratash simbolike apo materiale promovuese edhe në nivelin e kryetarëve të grupeve parlamentare, kryetarëve të komisioneve parlamentare apo edhe për sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit. Kjo argumentohet me nevojën për t’iu përshtatur praktikave të deritanishme kur në vizita apo pritje zyrtare pala e huaj ka ofruar dhurata simbolike. Ky ndryshim do të shoqërohet dhe me vendim qeverie për të vendosur limitin e dhuratave për kryetarin. Projektvendimi i miratuar dje detajon dhe një sërë çështjesh që lidhem me ndryshimet në paketën fiskale sa i parketet tatimit në burim apo dhe tatimeve mbi pagë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat