Tatimet: Si do përllogariten kontributet në 2015-ën

Shqipëria

Tatimet: Si do përllogariten kontributet në 2015-ën

Më: 25 dhjetor 2014 Në ora: 08:10

Nga ditët e para të vitit 2015, do të ndryshojë llogaritja e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si dhe përllogaritja e tyre për moshën e pensionit. Sipas udhëzimit të Ministrit të Financave nr. 23, datë 9.12.2014 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, Drejtoria e tatimeve ka bërë të ditur nivelet e pagës minimale dhe maksimale mbi të cilën do të llogariten kontributet nga data 01 janar 2015 dhe në vazhdim dhe mbi këto do të llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore dhe paga për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve të kujdesit shëndetësor.

Ndryshimi i deklarimit në pagat minimale

Paga minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve për të punësuarit nga janari i vitit të ardhshëm sigurimet shoqërore do të jenë 22 mijë lekë sigurime shoqërore dhe po kaq sigurime shëndetësore. Ndërsa për të vetëpunësuari (persona fizikë) nga 19.406 lekë që ka qenë sigurimi shoqëror për vitin 2015 do të jetë 22 mijë lekë. Ndërsa sigurimi shëndetësor për të vetëpunësuarit ka qenë 38,812, për vitin e ardhshëm do të jetë 44 mijë lekë. Për punonjësit e papaguar të familjes që punojnë e bashkëjetojnë me të vetëpunësuarin, sigurimet shoqërore nga 19.406 lekë do të bëhen 22 mijë lekë. Ndryshim do të ketë edhe për sigurimet shëndetësore për këtë kategori, të cilat kanë qenë në vlerën e 38.812 lekë dhe bëhen 44 mijë lekë.

Paga maksimale dhe ndryshimet

Paga maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve për të punësuarit, kontributet shoqërore deri në fund të këtij muaji janë 97.030 ndërsa sigurimet shëndetësore janë pa tavan. Të njëjtat vlera do të jenë edhe për periudhën tatimore janar 2015 e në vazhdim. Ndërsa për personat e vetëpunësuar dhe që vetëdeklarojnë pagë maksimale, edhe pse për vitin 2014 nuk kanë pasur për të dorëzuar si sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore, për vitin 2015 të gjithë këta persona mund të paguajnë sigurimet shoqërore sipas dëshirës, por jo më shumë se 97.030 lekë, ndërsa, përsa i përket sigurimeve shqëndetësore për vitin 2015 nuk janë të detyruar të paguajnë. Ndërkohë që nuk detyrohen të paguajnë asnjë lloj kontributi punonjësit e papaguar të familjes që punojnë e bashkëjetojnë me të vetëpunësuarin. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron të gjithë tatimpaguesit se ndryshimet e bëra më herët në ligjin e kontributeve për sigurimet shoqërore në vendin tonë, kanë barazuar derdhjen e tyre për të vetëpunësuarit me ata që marrin paga minimale. Aktualisht paga minimale e deklaruar është 19,406 lekë, teksa ajo do të barazohet me pagën minimale në shkallë vendi për të punësuarit dhe punëdhënësit, që është aktualisht 22 mijë lekë. Ndryshime në deklarimet e kontributeve do të ketë edhe vlera e pagës maksimale.

Nëse më herët ishte bërë publike se paga maksimale do të jetë s 5-fishi i asaj minimale, nga drejtoria e Tatimeve sqarohet se nuk është më ky përkufizim dhe se paga maksimale nuk ka tavan, duke filluar nga janari i vitit 2015-të. Aktualisht kontributi llogaritet dhe paguhet mbi pagën bruto, brenda kufijve të pagës minimale në shkallë vendi dhe pagës maksimale për efekt kontributi për sigurimet shoqërore, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, e cila është në fuqi deri në datën 31.12.2014. Ligji specifikon se pas datës 1 janar 2015, paga maksimale për efekt kontributi indeksohet në të njëjtën kohë dhe në atë masë që indeksohet paga minimale në shkallë vendi. Kontributi minimal për personin e punësuar, punëdhënësin dhe të vetëpunësuarin është i barabartë dhe llogaritet mbi bazën e pagës minimale në shkallë vendi. Ndryshimet e bëra në ligjin e kontributeve pritet të sjellin në buxhetin e shtetit 1/3 e të ardhurave që janë aktualisht nga deklarimi i pagave. Sqarimi Sipas Tatimeve, nga data 01 janar 2015 dhe në vazhdim, kontributi minimal mujor për personin e punësuar dhe të vetëpunësuarin është i barabartë dhe llogaritet mbi bazën e pagës minimale në shkallë vendi e barabartë me 22.000 lekë. Gjithashtu, paga maksimale mujore për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore është një paga e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, e cila është në fuqi në datën 31.12.2014 dhe është e barabartë me 97.030 lekë (por nuk do të jetë më i vlefshëm përkufizimi i pagës maksimale si 5-fishi i pagës minimale). Ky udhëzim shfuqizon dhe zëvendëson Udhëzimin e Ministrit të Financave Nr.26, datë 16.4.2009 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, i ndryshuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat