Rriten xhirot e biznesit, kryeson tregtia me pakicë

Shqipëria

Rriten xhirot e biznesit, kryeson tregtia me pakicë

Më: 25 dhjetor 2014 Në ora: 08:09

Sipërmarrjet realizuan në tremujorin e tretë të vitit një rritje të ndjeshme të xhiros, çka krijon premisa për një përmirësim të rritjes ekonomike në tremujorin e tretë të vitit. Sipas Institutit të Statistikave, shifra e afarizmit të biznesit u rrit me 8.7 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Kjo është rritja më e lartë e xhiros së biznesit në pesë tremujorët e fundit. Rritja e shitjeve të biznesit mbështet rezultatet pozitive të indeksit të Tregtisë me Pakicë, që u rrit me 6.4 për qind kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Të dy këta tregues janë indikatorë që dëshmojnë një përmirësim të kërkesës së brendshme në tremujorin e tretë të këtij viti. Ekonomia besohet të ketë pasur më shumë frymëmarrje dhe pritet që ndryshimi pozitiv të konfirmohet nga vlerësimi i parë mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto që do të publikohet në fillim të vitit të ardhshëm.

Të dhënat e INSTAT mbi xhirot e bizneseve tregojnë për një rritje veçanërisht në degët industri, ndërtim, hoteleri dhe agjenci udhëtimi. Dy degët e fundit tregojnë për një impakt pozitiv të ekonomi të sezonit turistik, që paraprakisht duket se këtë vit ka arritur një rezultat më të mirë krahasuar me vitin 2013.

Dega e industrisë nxjerrëse vazhdon të shfaqë performancën më të lartë në sektorin prodhues dhe në tremujorin e tretë regjistroi rritje të xhiros me 17.2 për qind. Më pak e pritshme ishte rritja e xhiros në sektorin e ndërtimit, që ndoshta lidhet me shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, por edhe me rikthimin e investimeve publike në infrastrukturë, pas paralizimit të plotë që ndodhi pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat