Nis ndarja e shpërblimeve për pensionistët

Shqipëria

Nis ndarja e shpërblimeve për pensionistët

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 21:13

Nga sot, nis ndarja e shpërblimeve të fundvitit për pensionistët, të cilët do ta marrin shpërblimin në të njëtën ditë që marrin edhe pensionin mujor. Nga ora 8:00 deri në 14:00, pensionistët do ta tërheqin pensionin në datën e caktuar së bashku me shpërblimin, ndërsa pas orës 14:00 deri orën 20:00, do të kenë mundësi të marrin shpërblimin ata pensionistë që u ka kaluar data e tërheqjes së pensionit. Nga shpërblimet përfitojnë 598 203 persona.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore në bashkëpunim me Postën Shqiptare kanë hartuar një grafik për të shmangur çdo fluks në sportele dhe të gjithë pensionistët të marrin shpërblimin brenda dhjetorit. “Së bashku me pensionin do tërheqin edhe shpërblimin. Ata që kanë marrë pensionin, pas orës 14:00 mund të marrin shpërblimin. Ata që se marrin deri më datë 30 dhjetor, mund ta tërheqin në ditët dhe muajt në vazhdim”, tha drejtoresha e ISSH-së, Vjollca Braho.

Ndërsa Kreu i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi theksoi faktin se zyrat e Postës do të punojnë me orare të zgjatura deri në orën 20:00 të mbrëmjes në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të tërheqin shpërblimin. “Dua të theksoj se për të gjithë ata pensionistë që e marrin pension në shtëpi ky shpërblim do të jepet pa tarifë shtesë”, përfundoi Lazimi.

Grafiku i marrjes së shpërblimeve

Kështu, sipas grafikut të ISSH-së, sot do ta marrin pensionin personat që kanë datën e tërheqjes së pensionit, ndërsa pas orës 14:00 do të marrin shpërblimin pensionistët që e kanë marrë pensionin në datën 1 dhe 2 dhjetor.

Në datën 22 dhjetor do ta marrin datat 1 dhe 2 dhjetor

Në datën 23 dhjetor do ta marrin datat 3, 4, 5 dhjetor

Në datën 24 dhjetor do ta marrin datat 8, 9, 10 dhjetor

Në datën 25 dhjetor do ta marrin datat 11, 12 dhjetor

Në datën 26 dhjetor do ta marrin datat 15, 16 dhjetor

Në datën 27 dhjetor do ta marrin datat 17, 18,19 dhjetor

Në datën 29 dhjetor do ta marrin datat 20, 21 dhjetor

Ndërkohë, më 30 dhjetor do t’u jepet mundësia të gjithë atyre që nuk do të arrijnë ta tërheqin në datat e përcaktuara më sipër. Me këtë grafik do të punohet deri në përfundimin e shpërndarjes së shumës përkatëse për çdo kategori deri në fund të muajit dhjetor, që shpërblimi të merret nga pensionistet para festave të fundvitit.

Nga ky vendim do të përfitojnë gjithsej 598 203 persona. Përkatësisht, do ta përfitojnë shumën prej 2 000 lekësh 344 382 persona që përfitojnë pensione urbane pleqërie, invaliditeti dhe familjar, 149 691 persona që përfitojnë pensione fshati, pleqërie, invaliditeti e familjar, 11 355 persona që përfitojnë pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi, 4230 persona që përfitojnë trajtimin e veçantë financiar të ish punonjësve të nëntokës dhe ish punonjësve të ndërrmarrjeve të industrisë ushtarake.

Ndërkohë, 81 000 pensionistë kryefamiljarë të vetëm do të përfitojnë shpërblimin në masën 3 000 lekë. Ndërsa shuma prej 5 000 lekësh do ta përfitojnë 7095 persona që trajtohen me shpërblimin si veteranë të luftës dhe invalidë të luftës.

Në total efektet financiare të këtij vendimi llogariten në 1 339 milionë lekë. Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson edhe njëherë se asnjë prej pensionistëve nuk duhet të shqetësohet nëse nuk do të arrijë të tërheqë shpërblimin brenda këtyre datave, pasi do të mund të marrë atë edhe pas vitit të ri në datën që do të shkojë tërheq pensionin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat