Bulqizë, 25 mln $ për industrinë e kromit

Shqipëria

Bulqizë, 25 mln $ për industrinë e kromit

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 17:35

Kryeministri Rama ishte sot në minierën e kromit në Bulqizë, e cila së fundmi po i nënshtrohet zbatimit të një sërë projekteve të rëndësishme për të ardhmen e industrisë së kromit dhe që arrijnë në vlerën e 25 milionë dollarëve. Kryeministri u njoh nga afër me projektet konkrete, që sipas drejtuesve, do të hapin një perspektivë të re dhe premtuese për këtë minierë.

Sipas përfaqësuesit të kompanisë, ndërhyrja më e rëndësishme është hapja e pusit prej 600 metra të thellë, i cili do të rrisë prodhimin vjetor të kromit nga 60 mijë tonë, që është aktualisht, në 100-120 mijë tonë në vit. Ai shprehu edhe gatishmërinë e stafit të kompanisë për të bërë maksimumin në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës dhe shtimit të jetëgjatësisë së minierës.

“Investimi shkon rreth 25 milionë dollarë. Parashikohet të hapet një pus 600 metra i thellë, i cili do të rivitalizojë jo më pak se 2,5 milion ton rezerva. Përveç kësaj, është dhe qafa e Buallit, e cila ka një sasi rezervash prej 1.6 milionë ton. Kemi një prodhim mesatar prej 60-65 mijë ton në vit. Me hapjen e thellësisë me përfundimin e këtyre projekteve mendojmë ta çojmë prodhimin jo më pak se 100-120 mijë ton në vit,” - u shpreh ai.

Ndërsa ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri tha se investimet që po konkretizohen dita-ditës janë të prekshme: “Në radhë të parë siç e kemi thënë ka qenë një partneritet i mirë me koncensionarin, sidomos dhe një kërkesë llogarie nga ana e shtetit për detyrimet të cilat ndër vite nuk ishin realizuar. Ne jemi të lumtur që tashmë kemi gjetur gjuhën. Investimet po bëhen konkrete. Njerëzit po e ndjejnë. Për industrinë përpunuese është një vlerë e shtuar dhe mbi të gjitha ofron pagesa të mira për të gjithë punonjësit që punojnë në këtë industri.”

Kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Myrfit Duriçi foli për realizmin nga qeveria të një sërë premtimeve të bëra për minatorët. “Doja ta falenderoja Kryeministrin Rama, së bashku me ministrat e tij për mbajtjen e të gjitha premtimeve të bëra në fushatën elektorale; për uljen e moshës së pensionit; hapjen e thellësisë së pusit dhe, premtimin më kryesor, i cili ka qenë ndërtimi i Rrugës së Arbërit. Kështu që, Kryeministrit aktualisht nuk kemi se çfarë i kërkojmë, përderisa të gjitha premtimet e bëra në fushatë i ka mbajtur, në një kohë rekord prej një viti e gjysmë në qeveri”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat