Basha: Do ta arrijmë marrëveshjen me PS-në

Shqipëria

Basha: Do ta arrijmë marrëveshjen me PS-në

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 16:19

Marrëveshjen do ta arrijmë me ndërmjetësimin e Parlamentit Evropian.

Kështu deklaroi kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, pas përfundimit të mbledhjes së grupit të Partisë demokratike, për bojkotin në Parlament.

Basha shprehu besimin se me mbështetjen e PE-së do ta kalojnë sprovën, dhe se negociatat do të mbyllen me sukses.

“Ne kemi marrë këtë përkushtim e angazhim kryesisht për interesat e shqiptarëve që meritojnë një demokraci parlamentare funksionale. Për këtë lypset angazhimi i palëve për të ndërprerë praktikat e dhunshme e antiligjore që sollën asgjësimin e jetës parlamentare dhe së dyti angazhimi për të bërë të mundur që këto kurrë të mos përsëriten përmes amendimit të legjislacionit dhe përkushtimit politik, për të eliminuar një herë e mirë krimin nga Parlamenti dhe të rikthehet Kushtetuta dhe ligjshmëria në aulën e tempullin e demokracisë”, tha Basha..

Kreu i demokratëve tha se, vullneti i PD-së ka qenë pozitiv, dhe se opozita ka kërkuar ndreqjen e shkaqeve të bojkotit. Basha u shpreh i lumtur që ka një ndërgjegjësim qytetar dhe një ndërgjegjësim të institucioneve ndërkombëtare.

“Kam besim se me mbështetjen e tyre do ta tejkalojmë këtë sprovë të madhe të demokracisë dhe do të rikthejmë funksionimin normal të parlamentit”, u shpreh Basha.

I pyetur nga gazetarët, a do të ndodhë deri të mërkurën marrëveshja, Basha tha:

“Për ne është e rëndësishme të ndodhë sipas parimeve evropiane. Jemi në proces negociatash dhe shpreh besimin se përpjekja do të kurorëzohet me sukses. I bëj thirrje mazhorancës që të jetë pjesë konstruktive e këtij procesi”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat