Vetëdeklarimi i rrogës, ja si do të llogaritet pensioni

Shqipëria

Vetëdeklarimi i rrogës, ja si do të llogaritet pensioni

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 10:34

Viti 2015 do të ketë formulën e re se si do të përllogariten pensionet. Ndryshimet e vazhdueshme të rrogave si edhe vendosja e dyshemesë dhe tavanit të ri për deklarimin e rrogave ka sjellë edhe ndryshime në përllogaritje. Duke qenë se rrogat ndryshojnë për secilin individ, gjithashtu edhe masa e deklarimit, kur një kontribuues në skemë do të dalë në pension do t’i merret për bazë kontributi që i përafrohet më shumë realitetit të periudhës në të cilën do të tërheqë pensionin për herë të parë. Formula e re e llogaritjes së pensionit i jep një rëndësi të madhe pjesës së pensionit që llogaritet në bazë të viteve të sigurimit dhe pagave mbi të cilat janë paguar kontributet. Kjo pjesë llogaritet 1 për qind për çdo vit sigurim të bazës së vlerësueshme, çka do të thotë, paga mesatare kontributive e realizuar gjatë gjithë periudhës së sigurimit e aktualizuar. Kontributet e sigurimeve shoqërore janë paguar muaj pas muaji në bazë të pagës për një periudhë që është 35-40 vjet. Për gjatë gjithë kësaj periudhe, që është depozituar edhe masa e siguracimeve në skemën e Sigurimeve Shoqërore, ka pasur vlera të ndryshme depozitimi dhe pagat kanë evoluar.

Indeksimi i koeficienteve, ku masa e kontributit është i ndryshëm nga viti në vit dhe përcaktimi i masës së pensionit do të bëhet duke i vlerësuar pagat e mëparshme në mënyrë që t’ i sjellë në vlerën e tanishme të tyre. Në mënyrë që këta koeficientë të përshtateshin me reformën e re të pensioneve, pësuan një ndryshim të thellë për aktualizimin real të pagave të realizuara më herët dhe për dhënien e një përfitimi real dhe të lidhur me kontributet e paguara. Aktualisht, si rezultat i ndryshimeve të normës së kontributit dhe disa faktorëve të tjerë, koeficienti i indeksimit nuk paraqet realitetin e pagave, duke dhënë si rezultat paga më të ulëta dhe për rrjedhim pensione të ulëta. Ligji i ri i pensioneve, parashikon që pagat deri në fund të vitit 2014 për të gjithë pensionet e reja që do të lidhen sipas këtij projektligji do të indeksohen me indeksin e rritjes së pagave si më afër realitetit. Këta koeficientë janë rreth 40 për qind më të lartë se aktualët dhe pagat e viteve të mëparshme aktualizohen më drejt dhe japin një pension më të drejtë. Sipas parashikimeve të bëra, përdorimi i këtyre koeficientëve të rinj lidh në mënyrë të drejtë dhe realiste kontributet me përfitimet si dhe përmirëson ndjeshëm pensionin. Po në kuadrin e reformës së pensioneve, pensionistët e rinj që do të dalin nga 1 janari i vitit të ardhshëm në pension, nuk do të kenë kompensime të ndryshme si pensionistët aktualë, pasi të gjithë këto janë të përfshirë në formulë.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se heqja e këtyre kompensimeve nuk ndikon në ulje të përfitimeve pasi janë parashikuar në formulë, por shkëput pensionet e përfituara nga kontributet e paguara nga elementë të mbrojtjes shoqërore që nuk janë të natyrës kontributive, por të shërbimeve sociale. Kështu, sipas sqarimit të ekspertëve, pensionet e reja pas datës 1 janar nuk do të përfitojnë kompensime sepse këto janë të përfshira në llogaritje sipas formulës dhe do të jenë objekt indeksimi të përvitshëm. Indeksimi është një detyrim ligjor dhe do të realizohet sipas indeksit të çmimit të shportës së mallrave të caktuara për pensionistët.

Përllogaritja

Aktualisht personat që përfitojnë pension minimal përfitojnë në formën e kompensimeve rreth 2150 lekë dhe shuma e të ardhurave që marrin është pension plus kompensime (12024+2150=14174 lekë). Pensionistët e rinj që do tju lindë e drejta pas 1 janarit 2015 do të marrin të njëjtën shumë, por si masë pensioni total dhe jo pension plus kompensime. Ndërkohë në ligjin e ri parashikohet edhe një rritje graduale e moshës së daljes në pension për gratë nga 60 vjeç në 63 vjeç. Rritja do të jetë 2 muaj në vit dhe në moshën e përcaktuar 63 vjeç do të dalin gratë që kanë lindur në vitin 1969 ose që mbushin moshën në vitin 2032. Kjo rritje është e moderuar dhe me një zgjatje prej 18 vjetësh. Pas vitit 2032 do të ketë indeksim të rritjes së moshës së daljes në pension për të dyja kategoritë deri në kufirin 67 vjeç, kufi që do të arrihet në vitin 2056. Arsyet pse bëhet kjo rritje moshe për gratë janë rritja e jetëgjatësisë, rritja e kohës së gëzimit të pensionit si dhe fakti që mesatarisht gratë jetojnë 5 vjet më shumë se burrat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat