Kukan: Dialogu politik me rëndësi për në BE

Shqipëria

Kukan: Dialogu politik me rëndësi për në BE

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 09:26

Dita e sotme pritet të sjellë edhe zgjidhjen e ngërçit mes opozitës dhe mazhorancës, me vizitën e eurodeputetit Eduart Kukan. Pas 5 muajve të bojkotit të opozitës, ku dy forcat politike nuk kanë bërë asnjë përpjekje për negocim mes njëri-tjetrit, por vetëm debate në distancë, eurodeputeti Kukan u zgjodh nga opozita si zgjidhja e vetme.

Takimin e parë Kukan e nisi pikërisht me atë që prej muajsh po i qëndron larg Kuvendit, me kreun e opozitës, Lulzim Bashën. Takimi mes Kukan dhe Bashës zgjati rreth 45 minuta, ku në përfundim të tij eurodeputeti dha edhe një prononcim për mediet.

"Erdha që të vazhdoja negociatat e nisura. Duhet të vendoset dialogu politik, pasi është i rëndësishëm për të ecur drejt rrugës së BE-së. Po bisedojmë për të arritur marrëveshjen mes palëve”, u shpreh Eduart Kukan.

Pas këtij takimi pritet që të zhvillojë një bisedë me kryeministrin Edi Rama, ndërsa në orën 10:00 është parashikuar takimi me kryeparlamentarin Ilir Meta.

Përfaqësuesi i qendrës së djathtë evropiane, por edhe një njohës shumë i mirë i politikës në Shqipëri, Kukan do të dëgjojë kërkesat e palëve, por mbi të gjitha do t'u ofrojë zgjidhjen e ndërkombëtarëve për situatën politike.

Në mesditë pritet edhe një mbledhje e deputetëve të opozitës, që në varësi të zhvillimeve të paradites do të përcaktohet edhe linja e cila do të ndjekin, një vazhdimësi jashtë Parlamentit apo rikthim në Parlament me të gjitha kushtet e përmbushura.

Prej 5 muajsh opozita ka braktisur Kuvendin, e teksa pas takimeve respektive të kryeministrit Edi Rama e kreut demokrat Lulzim Basha në BE, u arrit një marrëveshje në parim, për krijimin e një ligji për dekriminalizimin e Kuvendit si kusht i fundit që opozita të rikthehet në Kuvend më 24 dhjetor.

Marrëveshja do t’i jepte fund bojkotit të opozitës, vendim politik, i cili mori shkas fillimisht nga dhuna ndaj deputetit demokrat Gent Strazimiri në ambientet e Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat