Abuzimi me pyjet në plazhin e Semanit, “arrest me burg” 8 ish-zyrtarëve

Shqipëria

Abuzimi me pyjet në plazhin e Semanit, “arrest me burg” 8 ish-zyrtarëve

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 09:02

Gjykata e Fierit ka lënë në burg 8 ish-drejtues dhe zyrtarë të tjerë të Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, Fier, të dyshuar për “shpërdorim detyre”. Masa e sigurisë “arrest me burg” u caktua ditën e djeshme për Shkëlqim Jaupaj, ish-Drejtor i Shërbimit Pyjor, Nikollaq Zizi, Ervin Nuredini, Agur Vrenozi, Rahim Lushaku, Aleksandër Dhima, Astrit Kajolli dhe Fredi Merkaj. Në bazë të hetimeve të prokurorisë, rezulton se tetë personat, kanë abuzuar me funksionin e tyre duke lejuar ngritjen e një numri të madh lokalesh me struktura betoni në zonën pyjore të plazhit të Semanit, hapësirë publike nën administrimin e tyre dhe që është absolutisht e ndaluar për ndërtime solide.

Hetimi nisi në vitin 2012, kur Drejtoria e Shërbimit Pyjor Fier ka dërguar një kallëzim penal për ndërtuesit e lokaleve, për veprat penale të “Ndërtimit të paligjshëm” dhe “Prerje e paligjshme e pyjeve”. Sipas akteve proceduriale të asaj kohe, ndërtuesit, prej vitit 2007, kishin marrë leje të përkohshme (vetëm për sezonin turistik) nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor për ushtrimin e aktivitetit ambulant me rulotë. Sipas akteve ligjore në fuqi, Shërbimi Pyjor duhet të ushtronte kontroll mbi këto rulotë, për të verifikuar respektimin e lejes së dhënë prej vetë atij institucioni. Por, siç rezultoi nga kallëzimi i dorëzuar në Prokurorinë e Fierit në vitin 2012, pronarët e rulotëve nuk e kishin respektuar lejen provizore, duke ndërtuar lokale me godina prej betoni në hapësira të mëdha.

Për këtë arsye, ndaj tyre u dorëzua kallëzim penal për “ndërtim të paligjshëm” dhe “Prerje e paligjshme e pyjeve”, pasi zona ku ishte ndërtuar ishte e mbuluar me pyje, shumë pranë bregut të detit. Nga hetimi rezultoi që zyrtarët, për të cilët gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” nuk kanë ushtruar detyrën e tyre për verifikimin në terren të lejeve për rulotët, aq sa pronarët e rulotëve, me qetësi dhe në një kohë të gjatë, kanë shndërruar aktivitetin e tyre ambulant në një shërbim solid lokal, me ndërtesa betoni.

Duke u nisur nga fakti se ndërtimi i një numri të madh lokalesh, në hapësira shumë të gjera, ka marrë një kohë të gjatë, rezulton se ish-zyrtarët e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor nuk kanë ushtruar me dashje përgjegjësitë e tyre, duke lejuar në këtë mënyrë ndërtime abuzive, të cilat, ndër të tjera, jo vetëm kanë zënë sipërfaqe të fondit pyjor, kanë sjellë pasoja ekonomike konkrete, por ajo që është më e rëndë është dëmi ekologjik që i është shkaktuar mjedisit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat