Marrëveshja mazhorancë-opozitë, konkretizimi pas takimeve të Kukan

Shqipëria

Marrëveshja mazhorancë-opozitë, konkretizimi pas takimeve të Kukan

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 08:59

Mazhoranca dhe opozita pritet të konkretizojnë sot një marrëveshje mes tyre, e cila do të kthejë demokratët në Kuvendin e Shqipërisë. Gjithçka do të marrë një zgjidhje përfundimtare pas takimeve që do të zhvillojë Eduard Kukan, përfaqësues i qendrës së djathtë evropiane, por edhe një njohës shumë i mirë i politikës në Shqipëri, me krerët politikë në vend. Europarlamentari i cili ka mbërritur në Tiranë pasditen e djeshme, do të nisë axhendën e takimeve në orën 08:00 me kryedemokratin Lulzim Basha për të vijuar një orë më vonë me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta dhe në orën 10:00 me kryeministrin Edi Rama.

Në mesditë pritet edhe një mbledhje e deputetëve të opozitës, që në varësi të zhvillimeve të paradites do të përcaktohet edhe linja e cila do të ndiqet nga opozita, një vazhdimësi jashtë Parlamentit apo rikthim në Parlament me të gjitha kushtet e përmbushura. Edhe pse ende nuk ka një draft konkret sinjalet tepër optimiste janë dhënë që pas takimeve zyrtare që Raporteri për Shqipërinë, njëherësh përfaqësuesi i të majtës evropiane, Knut Flekenshtajn zhvilloi tre ditë më parë me kryeministrin Edi Rama, kryeparlamentarin Ilir Meta dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Pata diskutime të mira me kreun e Parlamentit Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama ditën e djeshme, ndërsa sot ishte biseda me zotin Basha. Dhe jam mjaft optimist që kemi gjetur rrugën, që javën tjetër parlamenti të mblidhet i plotë. Vërtet shpresoj në këtë dhe jam mjaft optimist”, - u shpreh eurodeputeti pas takoi për rreth 60 minuta kreun e demokratëve Lulzim Basha në selinë blu. Madje pas kthimit në Gjermani, eurodeputeti Knut Flekenshtajn shkroi në “Facebook” se kolegu i tij Eduard Kukan, do të përmbyllë me sukses bisedimet.

Ndërsa kryeparlamentari Meta, pas takimit me Raporterin për Shqipërinë ritheksoi gatishmërinë e mazhorancës për çdo dialog dhe marrëveshje që mbi bazën e parimeve demokratike, ndihmon në funksionimin më të mirë të kuvendit dhe krijimit të hapësirave të nevojshme për opozitën. Palët po diskutojnë për formën sesi do të kryhet marrëveshja që ajo të jetë e qëndrueshme dhe e zbatueshme. Ndërkohë që është rënë paraprakisht dakord se 3 çështjet që duhet të marrin zgjidhje me negociatat janë e drejta e opozitës për të ushtruar kontrollin parlamentar nëpërmjet komisioneve hetimore, e drejta e fjalës dhe pika më e rëndësishme, që ka marre të gjithë vëmendjen, është dekriminalizimi i parlamentit. Se si do të arrihet kjo është ende në diskutim.

Prej 5 muajsh opozita ka braktisur parlamentin, e teksa pas takimeve respektive të kryeministrit Edi Rama e kreut demokrat Lulzim Basha në BE, u arrit një marrëveshje në parim, për krijimin e një ligji për dekriminalizimin e Kuvendit si kusht i fundit që opozita të rikthehet në kuvend, më 24 dhjetor. Marrëveshja do t’i jepte fund bojkotit të opozitës, vendim politik, i cili mori shkas fillimisht nga dhuna ndaj deputetit demokrat Gent Strazimiri në ambientet e Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat