Rama: Deri në 31 dhjetor, sipërmarrjes do t'i shlyejmë 400 mln $

Shqipëria

Rama: Deri në 31 dhjetor, sipërmarrjes do t'i shlyejmë 400 mln $

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 22:57

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se sektori privat është zhvilluar pas një perdeje të errtë, dhe se sipërmarrësit shikoheshin si fajtorë dhe perceptoheshin dhe trajtoheshin si fajtorë në të gjitha instancat e diskutimit dhe këndvështrimit publik.

I pranishëm në ceremoninë "Bleta e Artë 2014", e organizuar në Teatrin e Operës dhe Baletit, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Rama tha se sipërmarrja në vendin tonë ka qenë një figurë e përbuzjes që nga e kaluara.

“Sipërmarrësit shikohen si fajtorë, perceptohen dhe trajtohen si fajtorë në të gjitha instancat e diskutimit dhe këndvështrimit publik. Nuk e di se sa fëmijë shqiptarë do thoshin dua të merrem me biznes. Ata parapëlqejnë të punojnë në shtet dhe jo në sektorin privat. Njëra nga arsyet është se pas çdo sipërmarrësi ka një hije të fortë dyshimi për të mos thënë një përbuzje të brendshme, që e shoqëron figurën e sipërmarrësit në mjedisin tonë, një përbuzje nga e kaluara ku emri sipërmarrës përbuzej, thuhej “kulak”, tha kryeministri.

Rama tha se sjellja degjeneruese ndaj biznesit degradoi në një institucion degjenerimi. Qeveria e mori peng sipërmarrjen, duke refuzuar të njihte të drejtat e sipërmarrësve për t’u paguar sipas kontratës. Ky degjenerim çoi në akumulimin e 720 mln dollarëve në dimrin e një viti më parë, tha kryeministri.

"Ky është një vit ku ne u munduam jashtëzakonisht shumë, borxhet e turpshme të padronit kanë nisur të shlyen. Deri në 31 dhjetor, ne, me ngutjen tuaj do kemi shlyer 400 mln dollarë, dhe pjesën tjetër vitin e ardhshëm”.

Kryeministri deklaroi se ende jemi larg vendosjes së sipërmarrësit në piedestalin e admirimit të publikut, dhe se besimi i sipërmarrjes ndaj shteti është ende i dobët.

“E kam ndjerë në vijimësi se mungesa e besimit tuaj me shtetin është një problem i madh që duhet ta kapërcejmë së bashku. Do të mund të merrni mbështetjen që meritoni, një besim të pa lëkundur, ne jemi këtu që t’i përgjigjemi në kohë reale çdo sipërmarrësi”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se ka pasur shumë raste trokitësish në derën tuaj për qëllime të padenja dhe ata janë larguar nga shërbimi. Kur një sipërmarrës ankohet për një inspektor sipërmarrësi ka gjithmonë të drejtë, inspektori nuk meriton të dëgjohet, por të largohet, shtoi kryeministri. Rama tha se duhet t’i tregojmë publikut histori të bukura në biznes dhe fytyrat që fshihen pas tyre.

"Përulemi për çdo investim. Dua t’ju kërkoj ndjesë për gjithçka që mund të mos ketë funksionuar në praktikat me shtetin. Na ndihmoni të shpëtojmë të gjithë bashkë një orë e më parë nga inspektorët që nuk mishërojnë ambicien tonë, Shqipërinë evropiane të sipërmarrjes së lirë, dhe njerëzve që nuk u tremben ideve të mëdha dhe që ka pranë një shtet që i mbështet, dhe i inkurajon dhe nuk u bëhet kurrë pengesë”, përfundoi Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat