Nesër Kukan në Tiranë, pritet zgjidhja e ngërçit politik

Shqipëria

Nesër Kukan në Tiranë, pritet zgjidhja e ngërçit politik

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 18:44

Ditën e nesërme pritet arritja e marrëveshjes për rikthimin e opozitës në Kuvend.

Europarlamentarui Knut Fleckenstain u largua me optimizëm nga Tirana, ndërkohë që nesër do të mbërrijë në Tiranë i deleguari tjetër i Parlamentit Evropian, Eduart Kukan.

Kukan do të takohet me krerët e politikës në Shqipëri për gjetjen e pikave të përbashkëta mes mazhorancës dhe opozitës, në mënyrë që t'i jepet fund krizës politike disa mujore.

Takimin e parë do ta ketë në orën 8:00 me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, të dytin në orën 9:00 me kryeministrin Edi Rama dhe në orën 10:00 me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Kjo është përpjekja e fundit, për të pajtuar pozitën dhe opozitën, në mënyrë që të zgjidhet ngërçi politik në vend.

Kryetari i demokratëve Lulzim Basha, ka thirrur në orën 13:00, mbledhjen e grupit parlamentar dhe të aleatëve, për të diskutuar mbi marrëveshjen me mazhorancën, për të cilën dhanë garanci dhe ndërkombëtarët. Basha, do të njohë deputetët me të gjitha diskutimet dhe negociatat, si dhe do të merret vendimi përfundimtar për tu kthyer në parlament, me 24 dhjetor, që është seanca e fundit për këtë sesion.

Europarlamentari Fleckenstein u shpreh optimist për zgjidhjen e krizës politike dhe kthimin e opozitës në datën 24 dhjetor në kuvend. Madje pas kthimit në Gjermani, Fleckenstein shkroi në Facebook se kolegu i tij Eduard Kukan, do të përmbyllë me sukses bisedimet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat