PD: Policia e Shtetit të rikthehet në detyrë

Shqipëria

PD: Policia e Shtetit të rikthehet në detyrë

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 15:32

Partia Demokratike denoncoi sot rritjen e pasigurisë në vend për qytetarët shqiptarë, ndërsa kërkoi rikthimin e policisë në krye të detyrës.

Përmes një deklarate për shtypin, Sekretari i Përgjithshëm i Përgjithshëm, Arben Ristani, deklaroi se rendi dhe siguria për shqiptarët vazhdojnë të jenë në ditët më të këqija.

“Plumbat e kriminelëve, që sipas kryeministrit Rama, vazhdojnë të lajnë hesapet në pritje të rikthimit të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, kanë shkaktuar 2 të vdekur dhe 1 të plagosur, dje në Shkodër dhe 1 të plagosur në Tiranë. Ndërkohë, po dje, 2 të vdekur dhe 1 i plagosur në aksidente automobilistike”, tha Ristani.

Partia Demokratike kërkoi që të përqendrohet detyra e Policisë së Shtetit, pikërisht te parandalimi dhe goditja e krimit, sidomos krimit të organizuar.

Ndërkohë PD denoncoi edhe aksionin kundër abuzuesve të energjisë elektrike. Sipas saj, kthimi i Shqipërisë në një burg të madh, nuk është zgjidhja për një popull që synon prosperitetin në familjen evropiane.

“Po i detyroni shqiptarët t’u kthehen eksodeve masive sepse po e ktheni Shqipërinë 25 vjet pas, por hapni mendjen dhe mendoni, pseudorilindas, etërit tuaj nuk e patën fundin të lumtur”, tha Ristani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat