Tiranë-Elbasan, hapet pjesërisht rruga e bllokuar nga rrëshqitja e dheut

Shqipëria

Tiranë-Elbasan, hapet pjesërisht rruga e bllokuar nga rrëshqitja e dheut

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 14:54

Rruga Tiranë-Elbasan është rihapur për qarkullim, por me kufizime. Pohimi u bë dje nga ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto i cili ka inspektuar punimet në aksin rrugor të bllokuar prej një jave nga rrëshqitja masive e të gjithë shpatit kodrinor, 50 metra mbi rrugën e vjetër kombëtare Tiranë – Elbasan, në kilometri 11. Ministri Haxhinasto u shpreh se vijon procesi i vlerësimit për natyrën dhe përmasat e rrëshqitjes, për të përcaktuar më pas llojin e ndërhyrjes. Ai vuri në dukje se kjo situatë ka krijuar sfida të mëdha. “Së pari, spostimi i dheut, i cili ka filluar nga pjesa e sipërme për të zbutur presionin që ushtron masivi i rrëshqitur. Sfidë tjetër është çështja e linjës elektrike, ku OST-ja po realizon spostimin e përkohshëm të saj, për të mos pasur asnjë moment ndërprerje të energjisë”, - tha ai ndërsa konfirmoi se nga pasditja (e djeshme) do të hapej trafiku në mënyrë të kontrolluar, për të lehtësuar qarkullimin dhe lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve. “Kjo ngjarje na ka vënë përballë një sfide madhore, sfidë kjo e përgjithshme, e hasur në çdo vepër me të cilën po punojmë, që është cilësia e munguar në projektet e rrugëve tona”, - theksoi ministri Haxhinasto.

Ai kërkoi të konsiderohet si prioritar aspekti teknik i realizimit të këtij projekti për të parashikuar incidentet e mundshme për të ardhmen. Haxhinasto shprehu se do të angazhohen, jo vetëm kapacitetet teknike që disponohen, por po konsiderohet edhe përfshirja e institucioneve të tjera të specializuara, për të hetuar gravitetin e defekteve që kanë krijuar situata të tilla. Udhëtarët që i janë drejtuar Tiranës nga qytetet në juglindje apo anasjelltas janë detyruar të paguajnë një biletë nga 200 deri në 300 lekë më të shtrenjtë. Kjo vjen për shkak të rritjes së kilometrave të përshkuar duke kaluar nga qyteti i Durrësit. Për të shkuar deri në Korçë më parë paguhej 700 lekë me furgon dhe 600 lekë me autobus. Ndërkohë që gjatë kësaj jave çdo udhëtar është detyruar të paguaj 1000 lekë. E ndërsa lëvizja kryesore e automjeteve bëhej që nga Durrësi kishte dhe mjaft raste kur udhëtarët zgjidhnin të shkonin deri tek zona e Ibës dhe më pas të përshkonin një pjesë rruge në këmbë për të hipur në një tjetër mjet që i çonte në destinacion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat