Rishikimi i buxhetit, Cani: Ende kohë për realizimin e investimeve

Shqipëria

Rishikimi i buxhetit, Cani: Ende kohë për realizimin e investimeve

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 14:35

Qeveria ka realizuar rreth 65 për qind të investimeve por duket se është optimiste për arritjen e parametrave shumë më të lartë deri në fund të dhjetorit. Deklarata u bë dje nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani i cili ndërsa u pyet nga media nëse do të kemi një rishikim të buxhetit të këtij viti, deklaroi se vendimi përfundimtar do të shikohet në fund të dhjetorit. Ministri pranoi se aktualisht investimet dhe borxhi nuk janë në normat e duhura, por shtoi se gjatë këtij muaji procesi është përshpejtuar çka e bën më premtues dhe fundit e vitit. Ndërsa shpjegoi shkaqet e këtyre vonesave, kreu i Financave pohoi se në vitin 2015 nuk do të ekzistojë më një problem i tillë, për sa kohë që buxheti është miratuar brenda të gjitha afateve ligjore.

Rishikimi i buxhetit

Ministri shpreson realizimin e investimeve të këtij viti pavarësisht vonesave të dukshme deri në muajin nëntor. “Investimet realizohen me dy mënyra, një janë investimet në kohë, që paguhen me këste, dhe një tjetër është që realizohet investimi dhe pagesa bëhet në fund. Prandaj ju thashë që dhjetori, nga tërë analizat që po bëjmë, është një muaj që po na e vështirëson shumë vendimin nëse do të kemi apo jo hapësira për rialokim fondesh. Duhet të presim deri në fund të vitit, se duket që nuk do të qëndrojnë këto raporte; pra edhe deficiti do të realizohet edhe investimet do të realizohen, kuptohet brenda atyre parametrave që kemi rënë dakord me Fondin Mon- etar Ndërkombëtar”, - deklaroi kreu i Financave.
Ministri pranoi se ka pasur vonesa në realizimin e programit por sipas tij, gjithçka ka ndodhur për shkak të vonesave në miratimin e buxhetit të vitit 2014. “Buxheti vjet është miratuar në datën 30 dhjetor. Ju e kuptoni që u desh një tremujor i tërë për të marrë veten. Që të fillojnë investimet duhet ta dini se miratohet buxheti si ligj, nxirren një sërë aktesh nënligjore në zbatim të buxhetit,çka e shtyu zbatimin e buxhetit në janar, në shkurt, në mars dhe pikërisht për këtë arsye investimet filluan me vonesë. Pra ishte vetë buxheti 2014-s që u miratua me shumë vonesë, për arsye që tashmë janë thënë”, - shpjegoi ai. Por një tjetër arsye e vonesave, sipas ministrit, janë dhe pasojat e mbetura nga praktikat e gabuara të ndjekura më herët. “Ka një problem për investimet: ishim mësuar me traditën që buxheti nuk realizohej dhe nuk fillonte kurrë para tremujorit të parë, pra kalonte një tremujor dhe fillonte buxheti, kështu që administrata e mësuar me këtë gjendje kujtonte se do ishte e njëjta histori. Kështu që, së pari filloi me vonesë, pastaj filloi tempi i përshpejtimit dhe u bënë edhe investime, ndërkohë që u shlyen edhe detyrimet e prapambetura. Mirëpo dhe kjo kërkon një përputhje edhe me likuiditetin, sepse Shqipërisë iu kërkua njëherësh një sasi gati dyfish likuiditet. Unë që jam bankier por edhe kushdo tjetër që ka njohuri nga ekonomia e kupton, se nuk mund që ta menaxhosh likuiditetin me një të rënë të lapsit”, - theksoi Cani. Por ministri ritheksoi se ndërkohë procesi është përshpejtuar. “Unë besoj që, dhe ne jemi në diskutim akoma, nëse ka nevojë rialokimi të investimeve apo jo, për arsye se ka një ecuri goxha të mirë të investimeve në periudhën nëntor- dhjetor. Pra ne jemi në një fazë që duhet të bëjmë një përmbyllje, për të kuptuar më mirë dhe qartë nëse do të lindë nevoja për rialokime apo do të realizohen investimet aty ku janë, gjë për të cilën kuptohet që duhet të presim”, - pohoi kreu i Financave. Këto deklarata ministri Cani i bëri pas pjesëmarrjes në një konferencë shkencore në Fakultetin e Ekonomisë, ku u bëri thirrje akademikëve të jenë më aktivë në debatin për politikat publike dhe të mos ja lënë atë vetëm politikanëve. Ai theksoi më tej se studiuesit kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë probleme në lidhje me gjetjen e të dhënave për studimet e tyre ndaj u shpreh i gatshëm që dikasteri që ai drejton të pranojë dhe bashkëpunojë me hulumtuesit, studiues të rinj, për të realizuar studimet e tyre.

Reformat

Ministri Cani ndërsa ka folur me studentët e Fakultetit të Ekonomisë ka shpjeguar reformat që janë ndërmarrë nga Ministria e Financave dhe qeveria gjatë vitit 2014. “Në vitin 2014 ndërroi një filozofi, kaluam nga “taksimi i sheshtë” në “taksimin progresiv”. Nuk është bërë një kalim i plotë, por kemi bërë një hap. Ne gjykojmë se kemi bërë mirë, por natyrshëm jemi të hapur për debat por dhe mendim se si mund të përmirësohet më mirë kjo çështje. Kemi bërë reforma fiskale dhe këtu do ju përmend Kodin e ri Doganor dhe ligjin e ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, të cilët janë të dy pothuajse sipas standardeve evropiane. Natyrshëm ne jemi përpjekur të zgjedhim praktikat më të mira në Evropë për t’i përfshirë dhe mund t’ju përmend disa raste si për TVSH-në apo dhe për Kodin Doganor që hyn në fuqi më 1 janar 2015, që kapin hapësira dhe lehtësira të mëdha për biznesin”, tha ministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat