S’paguante energjinë, shkarkohet kreu i arsimit në Malësinë e Madhe

Shqipëria

S’paguante energjinë, shkarkohet kreu i arsimit në Malësinë e Madhe

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 14:31

Drejtori i Zyrës Arsimore në Malësinë e Madhe, Vlash Linadi, është shkarkuar nga detyra pasi është konstatuar se prej kohësh nuk paguante energjinë elektrike.

Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se “pas verifikimit të të gjithë dokumentacionit të paraqitur nga DAR Shkodër dhe ballafaqimit të tyre me të dhënat e dërguara nga OSHEE, rezulton se drejtori i Zyrës Arsimore të Malësisë së Madhe, z. Vlash Linadi, është debitor në masën 130,490 lekë ndaj operatorit të shitjes së energjisë elektrike”.

Nisur nga ky konstatim, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ka propozuar shkarkimin e Vlash Linadit, sipas procedurave ligjore për shkelje të etikës dhe mos zbatimit të Urdhrit të Ministres së Arsimit dhe Sportit.

“Ministrja e Arsimit dhe Sportit, i bën thirrje të gjithë trupës së punonjësve në sistemin arsimor se detyrimi për pagesën e energjisë elektrike është një detyrim ligjor, pasi në një shtet të së drejtës, në një vend demokratik, të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.

Kultura e zbatimit të ligjit duhet të fillojë që nga bankat e shkollave, me përfshirjen e mësuesve, pedagogëve, studentëve, prindërve dhe komunitetin. Vetëm kështu, duke edukuar qytetarë europian të një vendi europian, mund të kontribuojmë së bashku në ndërtimin e një të nesërme krejtësisht tjetër për vendin tone”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat