Shkarkimi i kolonelit Demiraj, MM: Ka shkelur ligjin duke dalë jashtë kufijve pa leje

Shqipëria

Shkarkimi i kolonelit Demiraj, MM: Ka shkelur ligjin duke dalë jashtë kufijve pa leje

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 13:52

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura sqaron arsyet e shkarkimit nga detyra të kolonelit Dritan Demiraj, duke theksuar se vendimi është marrë pasi është konstatuar se Demiraj ka shkelur në mënyrë të përsëritur ligjin ‘për statusin e ushtarakut’, duke dalë jashtë kufijve pa leje.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Ministria e Mbrojtjes sqaron opinionin publik se ushtarakë të gradës së Demirajt disponojnë informacion të klasifikuar që mund të cënojë sigurinë kombëtare.

“FARSH si çdo institucion tjetër në një sistem demokratik e ndërtojnë veprimtarinë dhe përmbushin misionin e tyre vetëm duke u bazuar në ligjet e vendit. Gjthsecili brenda FA-vlerësohet duke u promovuar dhe përparuar në gradë po aq sa ndëshkohet kur rezulton në shkelje të ligjit dhe disiplinës ushtarake. Të gjithëve u kërkohet zbatimi i ligjit aq më tepër ushtarakëve me gradë të lartë. Për fat të keq, kjo nuk rezulton të jetë e vërtetë për kolonelin Dritan Demiraj, i cili në mënyrë të përsëritur në më shumë se një rast ka shkelur ligjin ‘për statusin e ushtarakut’, duke dalë jashtë kufijve pa leje. Këto veprime konsiderohen shkelje të rënda të disiplinës ushtarake për aq kohë sa ushtarakë të kësaj grade disponojnë informacionin e klasifikuar që mund të cënojnë sigurinë kombëtare Ky nuk është rasti i parë dhe as i vetëm që MM dhe SHPFA kanë vepruar në kushtet e shkeljes së rëndë të disiplinës e të ligjit. Ndërsa i njohim kontributin dhe i urojmë suksese në aktivitetin e tij privat, zbatimi i ligjit dhe ardhmja e Forcave të Armatosua mbeten gjithmonë më të rëndësishme se individi”- thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.

KUSH ESHTE DRITAN DEMIRAJ

Dritan Demiraj ka 24 medalje në ushtri dhe 27 në sport. Komandant i Forcave Speciale të Ushtrisë, aq sa njihet si “babai”, udhëheqësi i parë luftarak në terren dhe trajnues i misioneve “Eagle” (nga 1-7), pedagog, autor i shumë librave, manualeve e kumtesave deri në kategorinë akademike të kërkimit shkencor. Koloneli Dritan Demiraj, është “Nderi i Kombit” me dekoratë presidenciale. Ai është liruar nga ushtria pas 31 vitesh kontribut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat