Rrëshqitja e dherave, rruga Tiranë-Elbasan bllokohet sërish për shkaqe sigurie

Shqipëria

Rrëshqitja e dherave, rruga Tiranë-Elbasan bllokohet sërish për shkaqe sigurie

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 10:29

Aksi rrugor Tiranë- Elbasan do të vijojë të mbetet i bllokuar, për shkak të rrëshqitjes masive të dherave në zonën e Ibës. Rruga u hap pasditen e djeshme në mënyrë të kontrolluar, por për shkak të rrëshqitjeve të vazhdueshme të dherave, autoritetet u detyruan të mbyllin sërish atë, rreth orës 10:00 të paradites së sotme, për shkaqe sigurie. Policia e Shtetit bëri të ditur se rruga do të vijojë të qëndrojë e bllokuar deri në një njoftim të dytë.

Një ditë më parë, ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto siguroi se ka një angazhim të madh të të gjitha strukturave për normalizimin e situatës në aksin Tiranë-Elbasan.

Një javë më parë, një masiv dheu dhe gurësh rrëshqitën përgjatë trasesë së autostradës Tiranë-Elbasan, duke dëmtuar objekte e banesa buzë rrugës. Si pasojë e kësaj rrëshqitje qarkullimi i automjeteve nga Tirana drejt Elbasanit dhe anasjelltas vijon të mbetet i bllokuar.

Udhëtarët që i janë drejtuar Tiranës nga qytetet në Juglindje apo anasjelltas janë detyruar që të paguajnë një biletë nga 200 deri në 300 lekë më të shtrenjtë. Kjo vjen për shkak të rritjes së kilometrave të përshkuar, duke i rënë nga qyteti i Durrësit. Për të shkuar deri në Korçë më parë paguhej 700 lekë me furgon, ndërsa gjatë këtyre ditëve çmimet kanë qenë 900- 1000 lekë. Kjo për shkak se kilometrat që i janë shtuar rrugës janë gati 100. Por jo të gjithë kanë ndjekur këtë praktikë. Gjatë këtyre ditëve u pa që udhëtarët të mbërrinin deri tek zona e Ibës dhe më pas të përshkonin një pjesë rruge në këmbë për të hipur në një tjetër mjet që i çonte në destinacion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat