Emigrantët rikthehen për festat e fundvitit, fluks pasagjerësh në Portin e Durrësit

Shqipëria

Emigrantët rikthehen për festat e fundvitit, fluks pasagjerësh në Portin e Durrësit

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 10:19

Festat e fundvitit kanë rikthyer fluksin e emigrantëve në pikat kufitare. Porti i Durrësit ka regjistruar një nga fundjavat më të ngarkuara për shkak të fluksit të madh në sheshin e trageteve.

Plot pesë tragete janë përpunuar në harkun kohor të 3 orëve në këtë port, duke sjellë nga brigjet italiane emigrantët shqiptarë të cilët rikthehen për të kaluar festat e fundvitit pranë të afërmve të tyre.

Gazetarja e “News24”, Klodjana Haxhiaj bën të ditur se gjatë ditës së sotme pritet të mbërrijnë nga Brindisi dhe Bari 7 tragete me rreth 5000 pasagjerë.

Autoritet e Kapitanerisë, Policisë së Kufirit dhe Migracionit si dhe ata të Portit kanë krijuar të gjitha lehtësitë për të ulur ndjeshëm kohën e përpunimit të udhëtarëve e mjeteve. 30 sportele janë në vënë në dispozicion të udhëtarëve, me forca shtesë nga drejtoria e policisë. Të gjitha sportelet në mjediset e jashtme të terminalit shërbejnë për automjetet dhe ato që janë brenda godinës për udhëtarë këmbësorë janë vënë në shërbim të plotë.

Tërësia e masave të marra ka bërë që terminali i trageteve të boshatiset brenda 30 minutave nga zbarkimi i pasagjerëve për çdo traget. Emigrantët shprehen të kënaqur me procedurat doganore, ndërsa pohojnë se nga viti në vit ka një përmirësim të dukshëm.

Fluksi i pasagjerëve pritet të vazhdojë deri me datën 30 dhjetor, kur përfundojnë edhe udhëtimet e prenotuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat