Koloneli amerikan: Qeveria ka ulur moralin e ushtrisë

Shqipëria

Koloneli amerikan: Qeveria ka ulur moralin e ushtrisë

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 09:51

Koloneli amerikan, Benjamin Covington, ish-këshilltar i Pentagonit pranë Ministrisë së Mbrojtjes për 4 vite radhazi kritikon ashpër qeverinë në lidhje me lirimin nga detyra të kolonel Dritan Demirajt, si dhe për keqmenaxhimin e Forcave të Armatosura. Sipas tij mungesa e vëmendjes së qeverisë në këtë drejtim, ka ulur moralin e FA. Përmes një editoriali në një nga të përditshmet shqiptare, nën titullin: “A po e humb Shqipëria luftëtarin e saj më të vyer”, Koloneli Covington ka marrë shkas nga lirimi nga detyra i Kolonel Dritan Demirajt, të cilin e konsideron si komandantin dhe stërvitësin, edukuesin, trajnuesin më të mirë të Forcave të Armatosura. Demiraj ka marrë urdhrin e lirimit një ditë më parë.

“Qeveria shqiptare ka bërë shumë pak për të mbështetur Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH) ose pjesëtarët në të në vitin 2014. Perspektiva buxhetore për vitin 2015 është edhe më keq seç ishte në fillim të vitit 2014. Buxheti për 2015 u ul nga një tashmë teorik 2% e PBB (GDP) në një 0.87% të deklaruar. Morali në FARSH është i ulët dhe në rënie. Kombinimi i pagave të ulëta, mbështetja e pamjaftueshme për ushtarakët (uniformat dhe pajimet bazë të ushtarakut) dhe mungesa e koherencës në programet e mbështetjes ka çuar gjithnjë e më shumë në humbjen e vazhdueshme të personelit kyç me aftësi të larta dhe një qëllim tashmë të qartë nga ana e oficerëve të gradave të ulëta dhe nënoficerëve, të largohen nga radhët e FARSH sapo t’u paraqitet mundësia e parë”.

Ai shkruan ndër të tjera se në përgjithësi FARSH janë duke kryer një progres të ngadaltë dhe të dhembshëm drejt një force profesioniste moderne, por sipas tij shumë është akoma për t’u përmbushur që kjo forcë të arrijë një gjendje normale gatishmërie operacionale dhe të ndërmarrë rolin e saj të plotë si një forcë totalisht e aftë dhe partnere në NATO. “Viti 2015 tashmë është destinuar të jetë një vit i vështirë për FARSH, gjatë të cilit shumë pak progres do të bëhet për të modernizuar dhe pajisur njësitë operacionale.

Edhe pse janë hedhur disa hapa përpara, ushtria vazhdon të veprojë në një mjedis shumë të kufizuar, i cili rrit inefikasitetin, mbyt iniciativën, shpërdoron burimet, dekurajon koordinimin profesional dhe bashkëpunimin, si dhe nënvleftëson sjelljen etike. Rrënjët e këtij mjedisi negativ qëndrojnë si në mentalitetin dhe në ligjet shumë kufizuese. Prapambetjet e sistemeve totalitare janë mbi të gjitha një mbledhje pushteti në majë dhe kjo mbetet ende në efekt me qeverinë shqiptare dhe Ministrinë e Mbrojtjes, ku në mënyrë virtuale të gjitha vendimet merren nga ministri dhe në një shkallë më të vogël nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm”, shkruan koloneli amerikan.

Duke vlerësuar lart kontributin dhe profesionalizmin e Kolonel Demirajt, të liruar pa asnjë shkak nga ministrja Kodheli, Covington thekson se shkarkimi i tij bëhet nga “të prapambeturit e sistemit të lidhjeve të vjetra, të cilat janë të gjithë kundër meritokracisë”.

“Ky ushtar i ushtarëve, ky kolonel që shumë shpejt mund të nxirret në pension, është një prej luftëtarëve më të zellshëm për përmirësimin e shkaqeve të mësipërme të regresit që vërehen në Forcat e Armatosura Shqiptare dhe për këtë arsye ai po luftohet me mish e me shpirt nga të prapambeturit e sistemit të lidhjeve të vjetra, të cilat janë të gjithë kundër meritokracisë”, shkruan ndër të tjera Koloneli amerikan.

Demiraj: Shkarkimi im politik, drejtësia do bëhet nga NATO

Kolonel Dritan Demiraj ka reaguar dje në lidhje me lirimin e papritur të tij nga detyra nga ana e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Ai e ka cilësuar lirimin e tij nga detyra si të motivuar politikisht, ndërsa thekson se duke qenë se Shqipëria është vend anëtar i NATO, do të jetë pikërisht kjo e fundit që do të bëjë drejtësi. “Më thanë që ke dalë jashtë shtetit pa leje. Nuk është aspak e vërtetë sepse unë kam dokumentet përkatëse dhe kam marrë leje nga zëvendësministri i Mbrojtjes ashtu siç e ka dhe rregulli. Mendoj se ministrja është shtyrë për motive politike, mbi 150 persona prej disa muajsh nuk marrin emërimin, janë në dispozicion dhe nuk paguhen. Ky kaos nuk ka ekzistuar dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në Ministrinë e Mbrojtjes. Zonja Kodheli punon me dy standarde. Të qenit pjesë e një Aleance kaq të fuqishme do të gjejë drejtësinë” ka theksuar Demiraj. Nga ana tjetër ai shpreh shqetësimin për mënyrën jo të duhur që Ministria e Mbrojtjes po orienton forcat ushtarake shqiptare.

Në mungesë të kryerjes së detyrave për të cilat janë trajnuar, forcat elitë të ushtrisë shqiptare ndjehen të përçmuara teksa po përdoren për misione krej të ndryshme për të cilat janë stërvitur. Në lidhje me këtë situatë, Demiraj thekson se është e papranueshme që gjithë ai investim jo vetëm i shtetit shqiptar, por edhe i qeverive të vendeve anëtare të NATO të nëpërkëmbet nga qeveria aktuale.
“Shteti ka harxhuar sasi të mëdha fondesh. Por jo vetëm shteti, edhe zyrat e bashkëpunimit, qeveria amerikane. Investimi i bërë nga qeveritë e NATO është i madh, i bie që ne tani këtë eksperiencë ta kthejmë mbrapsht”, shprehet Demiraj.

I vlerësuar me dekoratën “Nder i Kombit” më e larta e shtetit shqiptar, si dhe me 47 medalje e dekorata ushtarake Demiraj e konsideron urdhrin e ministres Kodheli të motivuar politikisht.

Që prej vitit 2007 nën drejtimin e Demirajt Forcat Speciale të Ushtrisë njohën një ndryshim rrënjësor, duke kaluar nga misione të ruajtjes së bazave në misione luftarake. Prej më shumë se 30 vjet në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, me shumë vlerësime dhe dekorata, Koloneli Demiraj nxirret në lirim pa asnjë mirënjohjeje.

Kolonel Dritan Demiraj, “Nder i kombit” dhe me 24 medalje

Ka 24 medalje në ushtri dhe 27 në sport. Komandant i Forcave Speciale të Ushtrisë, aq sa njihet si “babai”, udhëheqësi i parë luftarak në terren dhe trajnues i misioneve “Eagle” (nga 1-7), pedagog, autor i shumë librave, manualeve e kumtesave deri në kategorinë akademike të kërkimit shkencor. Ky është kolonel Dritan Demiraj, “Nderi i Kombit” me dekoratë presidenciale, por i papunë që nga paraditja e së enjtes së 18 dhjetorit 2014. Ai është liruar nga detyra nga Ministria e Mbrojtjes pas 31 vitesh kontribut pa asnjë shkak dhe pa asnjë arsye. Përmes një interviste ai shprehet për arrogancën e Ministres Kodheli si dhe presionet e saj. “Zonja Mimi Kodheli, ministrja e Mbrojtjes, që kur ka marrë detyrën, ka qenë e keqinformuar në lidhje me mua. Pasi që në takimet e para ajo ka shfaqur arrogancë. Edhe në atë pak komunikim që kemi pasur, ka treguar joprofesionalizëm, të mos themi dhe injorancë. Nuk po hyj në detaje, por dua të them se me mënyrën sesi ajo ka komunikuar me mua, ka qenë krejtësisht ndryshme sesi duhet të komunikojë një ministre Mbrojtjeje me një kolonel. Nuk është se ka pasur përplasje konkrete. Në disa raste kur ka ardhur në Batalion dhe disa herë tek Qendra e Stimulimit, ministrja ka shfaqur shenja pakënaqësie. Por kohët e fundit, nën urdhrin dhe porosinë e saj ka ushtruar presion që të mos bëhem pjesë e mësimdhënies dhe e konferencave jashtë shtetit. Ky përjashtim ka ndodhur edhe pse unë jam një nga ushtarakët, ndoshta dhe i pari që kam botime, libra, artikuj brenda e jashtë shtetit më shumë se askush tjetër dhe pjesëmarrjes prej 18 vitesh nëpër misione e operacione të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare” shprehet Kodheli./rd

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat