Prapaskenat e një marrëveshje

Shqipëria

Prapaskenat e një marrëveshje

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 00:19

Siç ndodh rëndom kur arrihet një marrëveshje politike në Tiranë, i gjithë qëllimi është që të tregohet se ‘kush ia ngeci’ më shumë.

Në të vërtetë, të hënën në Tiranë pritet që të mbërrijë Eduard Kukan, si i dërguar nga grupi i të djathtëve në Parlamentin Europian.

Ai pritet që të nisë takimet me politikanët që në orët e para të mëngjesit.

Në tetë ai takohet me kreun e PD, Lulzim Basha.

Më pas do takojë kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.

Takimet do i mbyllë përpara orës 13:00, kur Lulzim Basha do mbajë një fjalim përpara grupit parlamentar.

Aty pritet të shpallë vendimin e opozitës.

Por sa janë shanset që opozita të kthehet në Kuvend?

Dihet se problemi kryesor lidhet me dekriminalizimin e Kuvendit. Një ngërç i vogël është nëse në projektligjin për dekriminalizimin do përfshihen vetëm kandidatët për deputetë apo edhe të zgjedhurit e tjerë dhe nëpunësit e administratës publike.

Problemi i madh mbetet garancia ndërkombëtare për realizimin e marrëveshjes.

Eurodeputeti Knut Fleckenstein, i të majtëve në PE, tha se është optimist se do ketë një marrëveshje.

Por a do ketë firmë mbi një tekst të caktuar?

Demokratët janë të gatshëm që të kthehen vetëm për një ditë në Kuvend, duke thyer bojkotin, zgjidhur problemin e mandateve dhe shuar “zërat brenda” për kthimin në Kuvend.

Më pas edhe mund të rikthehen në bojkot.

Mazhoranca nga ana e saj do tregojë se i ezauroi të gjitha mundësitë dhe ashtu siç thonë disa eurodeputetë, tani nuk duhet të kërkojnë më ndihmën e askujt për të zgjidhur krizat.

Demokratët shpresojnë se një rezolutë në Kuvend për këtë çështje, do jetë një qasje e duhur për ta vënë marrëveshjen për vije.

Nuk dihet se si do rrjedhin ujërat deri të hënën, por koha ka provuar se shumë gjëra mund të vendosen në orën e fundit, sikundër mund të prishen minutat e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat