Arsimi, forum me qytetarët e Korçës

Shqipëria

Arsimi, forum me qytetarët e Korçës

Më: 20 dhjetor 2014 Në ora: 17:50

Arsimi ishte në fokus të “Forumit Qytetar” që u mbajt sot në Korçë, me praninë e Kryeministrit Edi Rama, ministres së A5rsimit, Lindita Nikolla, zëvendëskryeministrit Niko Peleshi dhe me pjesëmarrjen e një numri të lartë mësuesish, nxënësish, studentësh dhe qytetarësh.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit renditi si tre pika të rëndësishme, të ndryshuara: miradministrimin e Maturës Shtetërore, cilësinë e mësimdhënies dhe procesin e akreditimit në arsimin e lartë. Në vijim, ministrja Nikolla njoftoi se shkolla shqiptare do futet në një kurikul të re, të orientuar te kompetencat dhe të rezultatet e nxënësit.

Kryeministri Rama siguroi për vendosmërinë e Qeverisë për të çuar deri në fund dhe me seriozitet reformat e ndërmarra në këtë sektor. Ndërsa Zëvendëskryeministri Peleshi solli në vëmendje se reforma në arsim nuk është një reformë e shkëputur, por është pjesë e paketës së qeverisë për transformimin e Shqipërisë dhe kërkoi më shumë.

Nis jetësimi i projektit "Shkolla, qendër komunitare"

Korça është një ndër qytetet ku ka nisur jetësimi i projektit "Shkolla, qendër komunitare". Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja Nikolla, zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe drejtues të pushtetit vendor inspektoi nga afër punimet në godinën e re të shkollës “Mësonjëtorja e Parë”, të cilës i është shtuar edhe një palestër për komunitetin e nxënësve por edhe qytetareve që jetojnë përreth.

Një terren sportiv shumësportësh po i shtohet shkollës "Raqi Qirinxhi" të qytetit të Korçës. Kryeministri e ka parë nga afër dhe është njohur me detaje të projektit, por edhe ka porositur për rritjen e përmasës së gjelbër në këto terrene.

Projekti “Shkolla, si qendër komunitare”, financuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, konsiston në rimodelimin e këndeve sportive të 4 shkollave të qytetit të Korçës. Projektimi ka në konsideratë frekuentimin e këtyre terreneve jo vetëm nga nxënësit, por edhe nga banorët e zonës.

Në ndërhyrjet që po kryhen synohet krijimi i terreneve sportive bashkëkohore, me pista vrapimi, fusha tenisi, basketbolli dhe volejbolli, futbolli, si dhe vendosja e veglave gjimnastikore.

Një tjetër inspektim edhe në muzeun e mesjetës së Korçës. Një objekt që ka nisur të ndërtohet, ku do të pasqyrohet kjo periudhë e historisë së qytetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat