TAP, Meta-Aliyev: Po forcon sigurinë energjetike të Evropës

Shqipëria

TAP, Meta-Aliyev: Po forcon sigurinë energjetike të Evropës

Më: 19 dhjetor 2014 Në ora: 20:54

Përmes projektit TAP, Azerbajxhani po krijon një lidhje të fortë me Evropën dhe së bashku me Shqipërinë, po kontribuojnë në forcimin e sigurisë energjetike të hapësirës evropiane.

Kështu deklaroi ministri i Industrisë dhe Energjetikës së Azerbajxhanit Natig Aliyev, gjatë takimit me kreun e Kuvendit Ilir Meta.

Meta dhe Aliyev ndanë bindjen se progresi i projektit TAP dhe IAP si dhe gazifikimi i mëtejshëm i vendit, e kthejnë Shqipërinë në një portë hyrëse për investimet azere në rajon në fusha të ndryshme, dhe për rrjedhojë ofrojnë potenciale të shumta për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.

Meta shprehu mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë për thellimin konkret të bashkëpunimit mes dy vendeve duke nënvizuar se bashkëpunimi mes dy ministrive të energjetikës në funksion të gazifikimit të Shqipërisë ofron potenciale të mëdha zhvillimi për vendin dhe rajonin tonë.

Kreu i Kuvendit vlerësoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit kanë rëndësi strategjike duke marrë në konsideratë avancimin e Projektit TAP dhe IAP.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat