Mashtronin duke u premtuar azil qytetarëve, arrestohet pronari i agjencisë “Agimi Travell” dhe katër persona të tjerë

Shqipëria

Mashtronin duke u premtuar azil qytetarëve, arrestohet pronari i agjencisë “Agimi Travell” dhe katër persona të tjerë

Më: 19 dhjetor 2014 Në ora: 10:55

Policia e Vlorës ka arrestuar Agim Muçen, i cili akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë per kalim të paligjshëm të kufirit. Po ashtu, jane arrestuar edhe katër persona të tjerë, që dyshohet se ishin bashkëpunetore të tij.

Agim Muça, 55 vjeç,banues në lagjen “1 Maji”Fier, administrator i agjencisë së udhëtimeve ndërkombëtare “Agimi Travel”, që përmes aktivitetit të saj transportonte qytetarët shqiptarë per jashtë vendit, konkretisht drejt Gjermanisë, duke shfrytëzuar rrugën ujore drejt Italisë, ndërsa dyshohet se i premtonte klientëve të tij edhe aprovimin e kërkesave për azil në Gjermani.

Sipas bluve të Vlorës, gjatë marrjes në pyetje, Muça është shprehur se puna e tij është e ligjshme dhe se nuk ka organizuar asnjë lloj mashtrimi, ndërsa drejton gishtin tek konkurenca si shkaktare e kësaj tymnaje. “Qytetarët janë këshilluar të mos kërkojnë azil në vende të BE-së. Ne jemi të rregullt me kompaninë tonë. Është një transport i rregullt, ndërsa paguajmë taksat”, theksoi ai.

Po ashtu, policia e Vlorës bën të ditur se veç Muçes janë arrestuar dhe katër personat të tjerë, të cilët dyshohet se ishin bashëkepunetore të tij.

Konkretisht të arrestuarit janë Shezai Aliaj 45 vjeç, pronar i një pike këmbimi valutor në Novoselë dhe Kastriot Hoxhaj, 43 vjeç, banues në fshatin Fitore të komunës Novoselë, të cilët dyshohen bashkëpuntor të Muçajt. Në vijim u arrestuan për veprën penale “Moskallzim krimi”, Denisa Mitro, 26 vjeç, banuese në Fier, agjente e shitjes së biletave në agjencinë “Agimi Travel” dhe Matilda Mazreku, 26 vjeç, banuese në Fier agjente e shitjes së biletave në agjecsinë “Agimi Travel”.

Aksioni i Policisë:

Mëngjesin e të entjes, Policia e Vlorës pas një sinjalizimi nga Policia Kufitare e Portit të qytetit bregdetar ka nisur një hetim të shpejtë ndaj agjencisë “Agimi Travell”, në pronësi të shtetasit Agim Muça, nisur nga situata e pazakontë e krijuar në portin e Vlorës, ku policia kishte bllokuar 6 autobusë me rreth 500 persona. Pas konstatimeve dhe marrjes në pyetje të disa prej udhëtarëve, u ngritën dyshimet se ky fluks vjen si rrjedhoi e një skeme mashtrimi nga agjencitë turistike, që nisin qytetarët drejt Gjermanisë me premtimin se atje do të marrin statusin e azilantit. Prej këtej erdhi edhe arrestimi i pronarit të agjencisë në fjalë.

Menjëherë pas aksionit, Ministria e Brendshme, përmes një deklarate për mediat ka theksuar se çdo përpjekje për të kërkuar azil në vendet e BE-së në mënyrë abuzive, është absolutisht e papranueshme, pasi tashmë Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt dhe vendet e BE nuk i miratojnë kërkesat e këtij lloji. Ndërkohë, mësohet se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ambasadori gjerman, Helmut Hoffman, janë nisur drejt Vlorës ku rreth orës 11:00 do të zhvillojnë një takim në drejtorinë e policisë së këtij qyteti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat