Meta merr çmimin "Lideri mbështetës i sipërmarrjes private"

Shqipëria

Meta merr çmimin "Lideri mbështetës i sipërmarrjes private"

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 23:30

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, i dha kreut të Kuvendit Ilir Meta çmimin me motivacionin “Lideri i Forcës Politike në mbështetje permanente ndaj sipërmarrjes private”.

Në fjalën e tij, Meta, tha se duhet bërë shumë për sipërmarrjen shqiptare, pasi vitet që kanë kaluar, kanë qenë vite krize për ekonominë shqiptare, por edhe për vendet e rajonit dhe eurozonës.

“Për çmimin falënderoj Dhomën e Tregtisë. Nuk mendoj se kemi bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme por besoj se mund të bëjmë shumë më tepër të gjithë së bashku. Kanë qenë vite të vështira për sipërmarrjen dhe për ekonominë e vendit sikur jemi të ndërgjegjshëm që kanë qenë vite të vështira për vendet e rajonit, të eurozonës, nga të cilat ne jemi shumë të varur. Ndaj unë besoj që me dialog, me mirëkuptim, me bashkëpunim, padyshim që mund të bëjmë shumë më tepër”, tha kryetari i Kuvendit.

Meta vuri në dukje edhe rëndësinë që ka sipërmarrja shqiptare, së bashku me politikën, në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian duke pohuar se nuk duhen bërë gabimet e së shkuarës, qoftë nga politika, ashtu edhe nga sipërmarrja.

“Dhe njëkohësisht do të doja t’ju ftoja të gjithëve për të qenë më të vëmendshëm sa i takon së ardhmes edhe në drejtim të procesin të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Besoj se nuk duhet të bëjmë më ato gabime që janë bërë në të shkuarën, edhe ne si institucione por edhe biznesi me indiferencën e tij, pra duhet që edhe sipërmarrja të jetë më aktive në mënyrë që Shqipëria të ketë kapacitetet e duhura për të negociuar dhe për të mbrojtur në maksimum interesat e saj dhe interesat e sipërmarrjes shqiptare për të ardhmen”.

Çmimi u dorëzua në mbrëmjen e organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, me të pranishëm Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, ambasadorë, diplomatë të huaj, si dhe përfaqësues të sipërmarrjes shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat