Meta takim me Fleckenstein: Të hapur për çdo iniciativë të opozitës

Shqipëria

Meta takim me Fleckenstein: Të hapur për çdo iniciativë të opozitës

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 22:06

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Raporterin për Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein.

Në takim, Meta shprehu mirënjohjen për vëmendjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian dhe mirëpriti përpjekjet e partnerëve tanë evropianë në mbështetje të inkurajimit të dialogut dhe bashkëpunimit politik në Shqipëri.

Pas takimit me Fleckenstein, Kryeparlamentari Meta në një prononcim për mediat bëri të ditur se u diskutua rreth situatës politike në vend, ecurisë së reformave, sidomos të 5 prioriteteve kyçe me Bashkimin Evropian. Meta shprehu vullnetin për dialog me opozitën dhe për çdo iniciativë të saj.Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti Raporterin per Shqiperine prane Parlamentit Evropian Knut Fleckenstein

“Diskutuam edhe për përmirësimin e mëtejshëm të klimës politike në vend me qëllimin funksionimin e plotë dhe mëse funksional të Kuvendit të Shqipërisë, që presupozon edhe krijimin e të gjithë mundësive që i janë dhënë opozitës për t’u rikthyer në parlament për të përmbushur përgjegjësitë e saj politike dhe natyrisht edhe kushtetuese”, deklaroi ai.

I pyetur nëse u diskutua për një marrëveshje të mundshme mazhorancë-opozitë në takimin me eurodeputetin Fleckenstein, Meta tha se “ne kemi qenë dhe jemi të hapur për çdo dialog apo qoftë edhe marrëveshje që bazohet edhe mbi parime demokratike edhe në respekt të parimeve kushtetuese që ndihmon në funksionimin më të mirë të Kuvendit të Shqipërisë dhe në krijimin e hapësirave të nevojshme për opozitën”.

Në përfundim, Kryetari i Kuvendit deklaroi se “ne kemi qenë dhe mbetemi të hapur për çdo iniciativë që do të propozohej nga opozita e cila ka ngritur këtë pretendim disa herë edhe në drejtim të një kontrolli më të mirë të figurës së parlamentarëve dhe të gjithë përfaqësuesve publikë sot edhe në të ardhme. Por një propozim apo një draft i tillë ende nuk mund të konfirmohet nga askush”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat