Basha: Marrëveshje për dekriminilazimin dhe mirëfunksionimin e Parlamentit

Shqipëria

Basha: Marrëveshje për dekriminilazimin dhe mirëfunksionimin e Parlamentit

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 19:39

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh sot optimist për tejkalimin e situatës së bojkotit të Kuvendit përmes një marrëveshje politike, që do t’i hapë rrugë rikthimit të normalitetit të parlamentit të Shqipërisë.
Kështu deklaroi për mediat nga Brukseli, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili mori pjesë në punimet e Samitit të Partive Popullore Europiane.
I pyetur mbi rolin ndërmjetësues të PPE-së për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri, Basha tha se “PPE është shprehur qartë me rezolutën e asamblesë politike dhe ka ecur një hap më përpara duke emëruar europarlamentarin Kukan si një nga dy negociatorët evropiane që kanë marrë përsipër misionin e ndërmjetësimit midis opozitës dhe shumicës, për një marrëveshje politike që do të mundësonte funksionimin normal të parlamentit”.
“Kjo marrëveshje do të mundësonte zbatimin e Kushtetutës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese sot dhe të nesërmen, jo si një favor i njërës palë ndaj tjetrës, por si një detyrim për shtetin e së drejtës. Gjithashtu, do të mundësonte procesin jetik për Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian, dekriminalizimin e Kuvendit dhe të institucioneve të larta publike”, tha Basha.
Basha pohoi se do të ketë nesër një takim në Tiranë me z.Flekenshtajn dhe të hënën me z. Kukan. “Shpresat dhe besimi im është që përmes reflektimit në përputhje me problemet kryesore që shkaktuan këtë gjendje, qe ishte përdorimi i dhunës me skenarë të mirëorganizuar në Kuvendin e Shqipërisë kundër opozitës si dhe shkelja flagrante e Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga shumica, të tejkalojmë këtë situatë përmes një marrëveshje politike, dhe t’i hapim rrugë rikthimit të normalitetit të parlamentit të Shqipërisë”, tha ai, ndërsa shtoi se “opozita shqiptare e ka shprehur prej kohësh vullnetin për të ecur përpara”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat