"Nuk ka fund përmirësimi i cilësisë në arsim"

Shqipëria

"Nuk ka fund përmirësimi i cilësisë në arsim"

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 19:24

Nuk ka fund përmirësimi i cilësisë në arsim.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama sot, gjatë konferencës së mbajtur për nënshkrimin e marrëveshjes me Agjencinë britanike të Akreditimit të universiteteve, e cila do të merret me akreditimin e IAL-ve në vend.

“Nuk ka fund përmirësimi i cilësisë në arsim, dhe për ta ushqyer trupin e këtij sistemi, asnjë reformë reale s’mund të jetë një parakalim në një pasarelë bukurie. Nëse një reformë është reale ajo është një terapi për të ripërtërirë apo rritur fuqitë e një organizmi që ka nevojë për t’u kuruar dhe operuar deri në palcë. Edukimi është transmetim i civilizimit, për të mbledhur frutat e reformës cilësore duhen vite. Reformat në arsim në vendet më pak të zhvilluara hyjnë te ato reforma që i shtyjnë për t’ia lënë tjetrit, pasi janë reforma që janë të hidhura, e nuk produktet merren brenda një mandati qeverisës", tha Rama.

Kreu i Qeverisë shqiptare tha se sot ka një çlirim të përgjithshëm të shoqërisë, nga një barrë e rëndë dhe për të cilën ka pasur një vetëdije të rëndësishme se ishte një barrë mbi të ardhmen, “që me një pajtim hipokrit ishte rënë dakord që të mbahej”. Mbyllja e universiteteve që nuk i plotësonin kushtet, na solli në një fazë të dytë, sipas Ramës, që është matja e kritereve:

"Sot IAL-të janë në rregull, por se sa në rregull janë bazuar në kriteret e cilësisë që duhet të garantojnë, këtë duhet të na e garantojë ky proces. Një proces që do të na ballafaqojë me të tjera fakte, shifra, prova rrënqethëse të një degradimi konstant të viteve të tjera", tha Rama.

“Më kujtohet para zgjedhjeve, në tryezat e diskutimit të hapura për programin tonë, përsërisnim zotimin se do thërrisnim një agjenci ndërkombëtare për të bërë akreditimin e universiteteve. Një pjesë qëndronte indiferente se mendonte se ishte loja e radhës, ndërsa një pjesë tjetër nuk e fshehte frikën, madje në pedagoge tha, nëse e bëni këtë, duhet të përgatiteni për rrezikun që të mbyllim Universitetin e Tiranës”, tha Rama.

Sipas tij, kjo ishte një frikë e ekzagjeruar por jo e pabazuar, pasi fakti që u mbyllën dhjetëra universitete, flet se në çfarë katandie ishte sistemi arsimor.

Binjakëzim mes agjencisë britanike dhe Këshillit të Akreditimit

Agjencia britanike e Akreditimit është një nga agjencitë më prestigjioze e rrjetit të agjencive në nivel evropian, dhe promovuese e vlerave të mishëruara në një kuadër të përgjithshëm legjislativ brenda BE-së, tha kryeministri.

Por, ai shtoi se një vlerë e shtuar në këtë proces është edhe mundësia që Këshilli ynë i Akreditimit, të ngrihet në nivel tjetër, nga një institucion fantazmë të kthehet i besueshëm, përmes binjakëzimit me institucionin britanik.

"Synojmë e të eksplorojmë mundësinë e binjakëzimit, megjithëse dihet se, që Britanikët të të pranojnë si binjakë, është e vështirë. Jemi shumë të vetëdijshëm se kjo është një sfidë që fillon, por nuk mbaron me skanimin e parë të IAL-ve", shtoi Rama.

1000 diploma për italiantët në Itali

Lufta për cilësinë në arsim dhe rritjen e saj, është një sfidë më e vështirë se përpjekja që na çoi në mbylljen e IAL-ve, tha Rama.

Njëra prej tyre kishte arritur të jepte diploma për italianët, thuajse 1000, pa asnjë leksion në italisht, as pa u kërkuar italianëve të ishin të pranishëm, përveç ditës së regjistrimit, shtoi kryeministri.

“Arsimi ishte kthyer në mall që shitej e blihej. Sot jemi në një gjendje ku nuk kemi arritur gjithçka, po kemi rivendosur sistemin në themelet e duhura. Ministria e Arsimit nën lidershipin kurajoz dhe efikas të ministres, po e çon përpara duke arritur rezultate të prekshme hap pas hapi”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se kishim arritur të kishim tetë herë më shumë universitete se Britania e Madhe. Ai tha gjithashtu se kishim arritur në pikën kur nota mesatare ishte 5.5, e cila tregonte se kishim “prekur fundin dhe më keq nuk mund të kishte”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat