Shkarkimi i Bejkos, jehonë në mediet ndërkombëtare

Shqipëria

Shkarkimi i Bejkos, jehonë në mediet ndërkombëtare

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 18:03

Lajmi për shkarkimin nga detyra të zëvendësministres së Mjedisit Diana Bejko, e cila nuk kishte paguar energjinë, ka çuditur jo vetëm opinionin publik shqiptar, por ka bërë jehonë edhe në mediet ndërkombëtare.

ABC News shkruan sot se qeveria shqiptare po përpiqet që të bindë shqiptarët, për të paguar borxhet e vjetra ndaj energjisë.

Edhe New York Times i dedikoi një lajm largimit të zëvendësministres. Në shkrimin e tij thuhet se, me këtë nismë, qeveria po përpiqet të bindë shqiptarët për të shlyer borxhet e vjetra të pushtetit.

Në një deklaratë në rrjetin social, në llogarinë e tij në Twitter të mërkurën, kryeministri Edi Rama tha se nuk mund të ketë justifikime për mospagesën e energjisë, që mbetet një sektor problematik dhe jofunksional i vendit.

Zëvendësministrja Diana Bejko që u shkarkua, nuk pati asnjë koment të menjëhershëm. I vetmi koment ishte ai i kreut të qeverisë shqiptare, Edi Rama i cili falënderoi Bejkon për punën e saj në detyrën e zëvendësministres, por tha se, përsa i përket detyrimeve ndaj energjisë, nuk do të ketë asnjë justifikim, qoftë edhe për 1 lek.

Të dy kompanitë përgjegjëse për prodhimin e energjisë elektrike dhe shpërndarjen e saj, humbën 550 milionë dollarë këtë vit, për shkak të faturave të papaguara. 600,000 konsumatorëve u është prerë energjia për shkak të borxheve dhe detyrimeve të papaguara.

Qeveria shqiptare, vijon e vendosur në luftën e saj ndaj abuzuesve të energjisë, deri në rehabilitimin e plotë të këtij sistemi problematik për vendin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat