Ndryshimet ne Kodin Penal, Rama: T’i hapim rrugën ndërtimeve me leje

Shqipëria

Ndryshimet ne Kodin Penal, Rama: T’i hapim rrugën ndërtimeve me leje

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 15:35

Kryeministri Edi Rama tha sot në Kuvend se është koha t’i hapim rrugën procesit të ndërtimeve me leje në vend dhe nëse do e bëjmë këtë do të ndajmë qartësisht epokën e derisotme, ku lejet e dhëna në Republikën e Shqipërisë dhe të zbatuara pikë për pikë sipas vullnetit të autoritetit që e ka lëshuar atë(lejen), nuk janë më shumë se gishtat e të dy duarve.

Ndërsa parlamenti ishte në procesin e votimit të ndryshimeve në kodin penal, që synojnë ashpërsimin e masave ndaj atyre që ndërtojnë pa leje duke i ndëshkuar me heqje lirie, deputetë të maxhorancës u shprehën kritik ndaj një amendimi në legjislacionin penal të propozuar nga deputetët Besnik Bare dhe Namik Kopliku.

Deputeti i PS-së, Ben Blushi kërkoi që të rishikohet amendamenti pasi siç u shpreh ai nuk beson se burgu është mundësia më e mirë për t’u korrektuar. Kësaj vërejtje iu bashkuan dhe kryetari i komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj dhe kryetari i komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, të cilët, dhe në cilësinë e ekspertit ligjor, sugjeruan riformulim të amendamentit, pasi sipas tyre ndërhyrjet në kodin penal duhen bërë me kujdes.

“Me shumë respekt për përfaqësuesit e së drejtës dua të nënvizoj qartësisht arësyet pse qeveria e kërkon sot këtë ndërhyrje në kodin penal. Të njëjtin diskutim kemi bërë dhe kur ndërhymë në kod për vjedhësit e energjisë dhe rezultatet i kemi para syve”, tha kryeministri.

Duke theksuar se janë miliona metra katrorë në vend të ndërtuara jashtë lejes, kryeministri theksoi se me ndryshimet e propozuara kemi mundësinë të ndalim hemoragjinë e hershme të ndërtimeve të paligjshme, me të cilën Shqipëria është mbytur për vite të tëra. Ndonëse ka një frenim, vërejti ai, nëse ne sot nuk do e sanksionojmë me ligje të qarta dhe shkeljet për ndërtimet me leje, fenomeni vetëm se do të vazhdojë”, u shpreh kryeministri.

Rama përsëriti nevojën për të futur në rrugën e duhur energjinë dhe territorin, psi në të kundërt do të kishim një pasiguri totale, si për të drejtat e pronës, të qytetarëve dhe investitorëve.

Ndërkohë, në mjediset e Kuvendit është mbledhur komisioni i Ligjeve për të shqyrtuar amendamentin për ndryshimin e kodit penal, miratimi i te cilit kerkon 84 vota.

Propozimet e sjella nga qeveria parashikojnë që të gjithë ata persona që do të kryejnë ndërtim pa leje ose në shkelje të lejes do të dënohen me burgim nga 2 deri në 8 vjet burg. Ndërsa ndërtimi apo punimi, i kryer pa leje, në shkelje të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar dhe në tokë të vet, dënohet me burgim deri në një vit.

E veçanta e propozimeve nga qeveria konsiston dhe në faktin e ndëshkimit për herë të parë të gjithë zinxhirit të personave që mundësojnë kryerjen e një ndërtimi të paligjshëm, në sajë të financimit, të aftësive intelektuale apo të tjera specifike që duhen për të ekzekutuar një ndërtim a punim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat