Ankimimi i KLD,Kushtetuesja shtyn seancën për '15, mungon "Kuvendi"

Shqipëria

Ankimimi i KLD,Kushtetuesja shtyn seancën për '15, mungon "Kuvendi"

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 12:35

Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për më datë 27 janar seancën për ankimimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, lidhur me shfuqizimin e vendimit të Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor ndaj dy ish-anëtarëve të KLD Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, i cili çoi në shkarkimin e dy ish-zyrtarëve.

Shkak për këtë vendim nga ana e Gjykatës Kushtetuese ishte mungesa e përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët nuk ishin të pranishëm si pasojë e seancës parlamentare të ditës së sotme.

Nga ana e tyre edhe ish-nënkryetari i KLD Çefa dhe anëtari Lelçaj kanë paraqitur kërkesën e tyre për të qenë pjesë e seancës gjyqësore të Kushtetueses.

Kjo kërkesë e tyre është mbështetur edhe nga përfaqësuesit e KLD në seancë Dritan Kaloshi dhe Marsida Xhaferllari.

Në animimin e paraqitur nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kërkohet shfuqizimi i vendimit të Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor ndaj Elvis Çefës dhe Lulzim Lelçajt, komision i cili nga verifikimet e kryera doli në përfundimin se ata kanë kryer shkelje ligjore dhe për rrjedhojë u shkarkuan.

Ditë më parë, Gjykata kushtetuese shfuqizoi nenin 4 të ligjit të ri të qeverisë për KLD-në, i cili dhe shërbeu si baza ligjore e ngritjes së akuzës nga ana e Komisionit Hetimor të mazhorancës, që më pas u pasua me shkarkimin e Çefës dhe Lelçajt, dhe me emërimin e Vangjel Kostës dhe Albana Shtyllës. Komisioni Hetimor i mazhorancës gjeti një sërë shkeljesh të ish-anëtarëve të KLD-së dhe vendosi për shkarkimin e tyre nga parlamenti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat