Pajtimi PD-PS, vjen në Tiranë “kumbari” nga Brukseli

Shqipëria

Pajtimi PD-PS, vjen në Tiranë “kumbari” nga Brukseli

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 08:19

Mazhoranca dhe opozita sot nisin zyrtarisht negociatat për të zhbllokuar ngërçin politikë me ndërmjetësimin e Brukselit. “Kumbari” i kësaj paramarrëveshjeje, është raportuesi i Shqipërisë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, i cili mbërrin sot në Tiranë për të marrë vesh qëndrimet e palëve. Mësohet se përveç hapjes së negociatave ai do të njihet edhe njëherë me kërkesat e opozitës dhe me pas do të dëgjojë mazhorancën për atë se çfarë do të plotësojë për tu nisur të premten pasdite në Bruksel për t’i raportuar të mandatuarit tjetër për këtë çështje, Eduard Kukan, i cili pritet të vijë të hënën për të përmbyllur negociatat e nisura sot nga Fleckenstein.

Propozimet

PARA nisjes për në Tiranë dy përfaqësuesit e lartë të Parlamentit Europiam, Kukan-Fleckenstein kanë dhënë dje një deklaratë të përbashkët për Shqipërinë ku kërkuan që të rivendoset dialogu politik mes palëve. Mandatarët e PE-së kanë arritur dakordësi që të ofrojnë dy propozime konkrete për palët. Zyrtarët e BE-së inkurajojnë opozitën shqiptare të rikthehet në parlament, duke theksuar domosdoshmërinë e rivendosjes së dialogut politik në vend. Anëtarët e PE-së pritet t’i propozojnë Kuvendit që të hartojë një draft për dekriminalizimin e tij, i cili do të duhet të miratohet brenda gjashtë muajve të parë të vitit të ardhshëm. Gjuha e deklaratës së lëshuar nga dy zyrtarët e lartë të Brukselit është thjeshtuar dhe ka njoftuar vetëm mbi angazhimin e dy eurodeputetëve, ndërsa shqetësimet dhe detyrat që po rivlerësohen në këtë proces negociatash pritet të plotësohen më qartë pas takimeve në Tiranë. disa nga çështjet janë diskutuar dhe në Bruksel një javë më parë, kur Kryeministri Rama ishte atje dhe zhvilloi takime me nivelet drejtuese të Parlamentit Europian, por edhe të grupeve parlamentare të majta dhe të djathta në të. Një tjetër propozim që vjen nga Brukseli, është dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

PD pret të zgjidhet ngërçi dhe të rikthehet në Kuvend

Deputeti demokrat Aldo Bumçi, i caktuar nga opozita të luaj rolin e në prej negociatorëve tha për gazetën “Shekulli” se duhet vlerësuar vizita e Fleckenstein në Tiranë. “Arritja e një marrëveshje mes opozitës dhe mazhorancës absolutisht që është ajo çfarë ne shpresojmë. Të shikojmë se si do të shkojë takimi nesër (sot). Ardhja e tij dhe pas dy ditëve e Kukan është shumë pozitive dhe duhet vlerësuar përfshirja dhe përpjekja e Parlamentit Europian për të ndihmuar Shqipërinë për të kaluar këtë ngërç. Të shikojmë nesër se çfarë do të ndodhë”, tha Bumçi. Më tej deputetit demokrat tha se nëse do të respektohen pikat e shtruara nga PD për tu plotësuar dhe për këtë do të ketë dhe një garanci nga moderatorët e Brukselit opozita do të jetë në Kuvend. Mësohet se eurodeputetët kanë arritur dakordësinë për një marrëveshje 5-pikëshe, të cilën e kanë shpjeguar dhe dje nëpërmjet një deklarate. Ndërkohë burimet bëjnë me dije se Knut Fleckenstein, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian negocioi me qeverinë, ndërsa Eduard Kukan raportues i PPE, negocioi me opozitën. Burime nga PD-ja bënë të ditur se eurodeputët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan të përzgjedhur në rolin e negociatorëve për arritjen e marrëveshjes politike mes PD-së dhe PS-së kanë arritur qëllimit për të kthyer opozitën në Kuvend dhe ardhja e tyre në Tiranë do të shënojë dhe mbylljen e marrëveshjes mes dy palëve. Mësohet se pas përfundim të mbledhjes së PPE-së, ku zyra e socialdemokratit gjerman Fleckenstein punoi ngushtë me të djathtin sllovak Kukan, për të kopsitur pikat e kërkuara nga opozita. Fleckenstein mbërrin pasditen e së enjtes në Tiranë dhe largohet të premten pasdite. Mësohet se në axhendën e tij Fleckenstein sot do të takojë kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentarin Meta. Ndërsa deputeti Bumçi tha se takimi i Fleckenstein me shefin e opozitës Basha pritet të zhvillohet të premten. Raportuesi për Shqipërinë ka parashikuar të vizitojë vendin më 7 janar, në kuadër të raportit vjetor për Parlamentin Europian, dhe vizita e papritur e së enjtes bëhet në kuadër të nismës së tij për kapërcimin e bojkotit parlamentar, fort e mbështetur nga Kukan, shkruan Shekulli.

Mediu: Jemi ne pritje të propozimeve të ndërkombëtarëve

Kreu i Partisë Republikanë Fatmir Mediu tha se opozita ka parashtruar publikisht kërkesat për rikthimin në Kuvend. “Ne jemi përpjekur të jemi transparentë me publikun dhe me Partinë Socialiste. Zoti Kukan e Fleckenstein do të jenë në Shqipëri për të diskutuar për këto çështje. Këto çështje i kemi parashtruar edhe PE dhe KE”, tha Mediu. Kreu i republikanëve tha më tej se një pikë e kërkesave të opozitës është dekriminalizimi i opozitës. “Kjo është një kërkesë e ngritur nga opozita. Dhe duhet të diskutohet edhe çështja e mandatit përfaqësues të deputetit, dhe kjo do të thotë se ai duhet të jetë në kontakt të drejtë me qytetarët, dhe jo i inkriminuar apo i korruptuar”, tha ai për Ai Report. Në lidhje me prezencën e deputetëve republikan në Kuvend, Mediu tha se nuk do të jenë nesër, ndërsa për pjesëmarrjen në seancën e fundit, ai u shpreh se kjo varet nga përfundimi i negociatave që do të nisin sot. “Ne nuk do të jemi nesër në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë ndërmjetësimit me ndërkombëtarët, do të mirëpresim propozimet e tyre, dhe do të vlerësojmë edhe qëndrimin tonë si opozitë”, tha Mediu.

PE: Debatin politik duhet të ndodhë në parlament

Dy zyrtarët e Lartë të Bashkimit Europian Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan mbështesin rivendosjen e dialogut politik mes pozitës dhe opozitës në Parlament. Në një deklaratë për mediat thuhet se dy raportuesit për Shqipërinë, Knut Flenckeinstein do të jetë në Tiranë në datën 18 dhe 19 dhjetor, Pasi tij do të jetë eurodeputeti, Eduard Kukan që do të vijë në Tiranë në 21-22 dhjetor. “Të dy grupimet politike kryesore të PE-së, Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Partitë Popullore Europiane, kanë mbështetur vazhdimisht Shqipërinë në proceset integruese. Në respekt të kësaj, dialogu konstruktiv dhe i qendrueshëm politik mes shumicës dhe opozitës, sëbashku me debatin politik qe duhet të ndodhë në parlament, kjo është jetike për këtë proces”. Në deklaratë thuhet se: Pas ngecjes së dialogut mes grupimeve kryesore politike në Shqipëri dhe bojkotit të parlamentit nga PD, dy grupimet e Parlamentit Europian ua kanë besuar përfaqësuesve të tyre, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, misionin për të ndihmuar shumicën dhe opozitën që të rivendosin dialogun politik dhe të inkurajojnë opozitën që t’i japë fund bojkotit dhe të rifillojë punën në parlament. Fleckenstein dhe Kukan kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë dhe të mbështesin liderët në Tiranë në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje dhe të arrijnë një marrëveshje në përputhje me kushtetutën dhe institucioneve politike. Dy mesazhet që do përcjellin zyrtarët e lartë të BE -së për politikanët shqiptarë janë: PE inkurajon opozitën që të kthehet në parlament, të rivendosë dialogun politik dhe pjesëmarrjen në punët e parlamentit; PE inkurajon të gjitha partitë politike që të angazhohen në procesin e dekriminalizimit të Parlamentit dhe institucioneve të tjera publike.

Kërkesat e opozitës

1- Dekriminalizimi i Parlamentit
2- Respektimi i vendimeve të gjykatave
3- E drejta për ngritjen e Komisioneve Hetimore
4- Asnjë pengesë për hetimin e deputeteve
5- Kohë të barabartë me kryeministrin në seancat plenare

Kërkesa e shumicës

1- Rikthimi i opozitës në Kuvend brenda 24 dhjetorit

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat