Jessie J sot në Tiranë, ministritë fshehin detajet

Shqipëria

Jessie J sot në Tiranë, ministritë fshehin detajet

Më: 29 nëntor 2014 Në ora: 08:04

Ditën e sotme, këngëtarja me famë ndërko mbëtare Jessie J do të interpretojë në Tiranë. Lajmi ka disa javë që është bërë publik, fillimisht nga kryeministri Edi Rama, i cili nëpërmjet “Facebook”- ut njoftoi se Jessie J do të ishte e ftuar për Natën e Bardhë. Koncerti në të cilin do të jetë këngëtarja, pritet të startojë sonte, rreth orës 19.00, në sheshin “Nënë Tereza”. Informacionet rreth vizitës së saj në Tiranë janë shumë të pakta. Ne u përpoqëm të kontaktonim me Ministrinë e Kulturës, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, si dhe me Kryeministrinë, por askush nuk na dha detaje rreth axhendës së këngëtares në vendin tonë. Zyrat për Marrëdhënien me Publikun pohuan se nuk kishin informacione rreth kësaj vizite, duke e lënë kështu tërësisht në mister vizitën e 26-vjeçares. Deri më tani, mbetet një enigmë se ku do të qëndrojë Jessie J, a do të ketë një intervistë të sajën për mediat shqiptare, dhe, më e rëndësishmja, sa është paguar diva e muzikës ndërkombëtare për të performuar gjatë Natës së Bardhë në Tiranë. Ende e paqartë mbetet dhe lista e hiteve që këngëtarja do të këndojë për publikun në sheshin “Nënë Tereza”. Më herët është folur se këngëtarja britanike e kishte pranuar me dëshirë ftesën për të qenë këtu në festën e 70-vjetorit të Çlirimit dhe se do të këndonte pa pagesë, por ky lajm nuk është konfirmuar nga askush deri më tani. Ajo që është e qartë deri tani është se mbërritja e saj në Tiranë ka qenë një nismë e qeverisë. Rama ishte i pari që pohoi thashethemet për performancën e Jessie J në Tiranë. Më pas, edhe vetë krijuesja e hitit “Money” e pohoi këtë lajm. Këngëtarja 26-vjeçare shkruajti në “Facebook” se ajo do të vijë për të festuar 70-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, duke performuar ‘live’ në një super koncert pa bileta, në Tiranë më 29 Nëntor. Këngëtarja Jessie J numëron shumë fansa edhe në vendin tonë, dhe kjo është vënë re dukshëm edhe nga entuziazmi i shfaqur në rrjetet sociale, pas publikimit të lajmit për koncertin e Jessie J në Tiranë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat